AlbanianSport.com 13.10.2014 07:05
ASNN – Alarmimi tek Luftëtari për dy rezultatet negative në dy javët e para të kampionatit, por dhe gjendja e pikëve zero, është i madh. Nëse skuadra gjirokastrite ka shijuar dy ditët e pushimit e dhëna nga trajneri Devolli për të nisur menjëherë sot përgatitjet për ndeshjen me Tomorin, e cila do të luhet të shtunën e ardhshme në Berat, tek drejtuesit ka shqetësim.
Madje në idenë e tyre është se skuadra duhet të kishte punuar dhe të dielën edhe për shkak se gjendja e tyre kritike nuk përputhet me kërkesat dhe objektivat që ata kanë për një Luftëtar në Superiore. Nëse gjatë javës së kaluar, presidenti i Luftëtarit, njëkohësisht dhe Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, ka qenë i zënë për shkak të punëve që ka pasur, sot ka vendosur që ta mbledhë skuadrën në analizë për të vënë pikat mbi “i” për të gjithë situatën e pazakontë që po kalon Luftëtari.
Analiza do të jetë urgjente, ndërsa Bime është i pakënaqur me atë që ka paraqitur skuadra në fushë. Është një skuadër në të cilën është investuar për t’u ngjitur në Superiore, teksa janë bërë nëntë afrime. Por që deri më tani nuk ka dhënë asgjë. Ndaj dhe Bime sot e ka kërkuar skuadrën në analizë në mënyrë që duke nisur nga ndeshja me Tomorin, në Berat, Luftëtari të jetë krejtësisht ndryshe në fushën e lojës.