AlbanianSport.com 28/01/2019 17:50
ASNN – Tjetër “kurban” në stolat e Superiores, Mezani largohet nga Luftëtari, gjirokastritët luten të kthehet Milinkoviç. Një tjetër teknik bëhet “kurban” në Kategorinë Superiore. Është Gentian Mezani, trajneri vlonjat i cili dorëhiqet nga drejtimi i Luftëtarit të Gjirokastrës. Është një prej të shumtëve në këtë sezon që largohet kur ekipi nuk ecën si duhet.
Por për Mezanin kishte dhe një ngërç, marrëdhënia e tij e tensionuar me presidencën e klubit, ku ka kërkuar ndërhyrje në merkato por nuk ka gjetur mirëkuptim. Deklaratat e pasndeshjes me Kastriotin, e humbur nga gjirokastritët 1-5, kanë sjellë deklarata të ashpra të trajnerit, që ka paralajmëruar që me këtë gjendje ekipi do të bjerë nga kategoria.
Presidentit të klubit Grigor Tavo nuk i ka pëlqyer kjo gjë dhe i ka kërkuar trajnerit të “reflektojë”. Për pasojë, trajneri ka dhënë dorëheqjen dhe Luftëtari edhe zyrtarisht është pa trajner. “Nuk ka fjalë për këtë humbje, – ishte shprehur Mezani të dielën pas ndeshjes së humbur me Kastriotin, – por dua t’i bëj komplimente kundërshtarit. Treguan forcë dhe karakter. Ne nuk kemi cilësi dhe dëshirë në fushë.”
“Edhe gabimet individuale ndikuan, – pati vijuar vlonjati i stolit të gjirokastritëve. – Unë kam kaq kohë që flas me drejtuesit, por me keqardhje mund të them se nuk kemi skuadër për Superiore. Fjalët e mia kanë kaluar në vesh të shurdhët.” Ndërkohë, duke qenë se ekipi është aktualisht pa trajner, drejtuesit e Luftëtarit po kthejnë sytë nga ish-trajneri i tyre, Mlladen Milinkoviç.
Trajneri serb pëlqehet shumë në Gjirokastër, si nga drejtuesit ashtu dhe nga tifozët dhe klubi po sheh mundësinë e kthimit të tij në qytetin e gurtë. Mbetet të shihet se cili trajner do të pasojë Mezanin, por largimi i vlonjatit nga stoli gjirokastrit është tashmë i sigurt dhe zyrtar.