AlbanianSport.com 09.01.2015 16:10
ASNN – Luftëtari është përgatitur për të tretën ditë në tapetin e ri të Fushës së Vjetër nën drejtimin e trajnerit Bledar Devolli. Por bluzinjtë kanë qenë edhe nën vëzhgimin e kryebashkiakut të Gjirokastrës, njëkohësisht dhe presidentit Flamur Bime, i cili tashmë duket gjithnjë e më shumë pranë skuadrës.
Dje fusha e rikonstruktuar ka përuruar dhe portat e reja, ndërsa në ditët e ardhshme pritet të bëhet dhe inaugurimi i fushës në të cilën do të marrë pjesë dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Madje atij ditë më parë i është akorduar dhe titulli “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”, që duket se do t’i dorëzohet në përurimin e fushës.
Në stërvitje kanë qenë të gjithë futbollistët e parashikuar. Me grupin po stërviten edhe të sapoardhurit Dosti, Braho dhe Tahirllari, të cilët kanë mbyllur bisedimet dhe kontratën për të qënë pjesë e Luftëtarit në këtë kampionat. Qejvani, i përfolur se do të largohej nga Gjirokatra, pritet t’i bashkohet grupit ditën e sotme.
Madje lojtari pas një takimi që ka pasur me presidentin e Luftëtarit, Flamur Bime, i ka sqaruar mosmarrëveshjet. Sipas trajnerit Bledar Devolli do të kërkohet edhe një futbollist tjetër për të forcuar repartin e sulmit dhe skuadra është e kompletuar në të gjitha repartet e lojës.