AlbanianSport.com 28/02/2022 13:25
ASNN – Lufta në Ukrainë vazhdon të sjellë pasoja edhe botën e sportit. Kështu, Anglia, Uellsi dhe Danimarka i bashkohen Polonisë, Suedisë dhe Republika Çeke, për të mos luajtur kundër Rusisë në ndeshjet e “play-off”-it të Botërorit “Katar 2022”. Kështu, Anglia, Uellsi dhe Danimarka i janë bashkuar vendimit të Polonisë, Republikës Çeke dhe Suedisë për të mos luajtur kundër Rusisë në “play-off”-in e Botërorit të Katarit. Vendimet e Anglisë dhe Uellsit flasin për “të ardhmen e afërt”, në rast se lufta midis Ukrainës dhe Rusisë do të vazhdojë.
Kjo do të vlejë edhe për përfaqësuesen e femrave të futbollit të Anglisë, e cila në Evropian edhe pse nuk e ka në grup Rusinë, mund të përballet me të në gjysmëfinale ose në finale. “Ky vendim është marrë për të treguar solidaritetin me Ukrainën dhe për të dënuar mizoritë që po kryen Rusia”, – thuhet në deklaratën e Federatës Angleze të Futbollit. Kjo do të thotë se Anglia do të refuzojë të luajë me Rusinë në çdo garë për të ardhmen, kjo e parashikueshme, përfshirë këtu çdo ndeshje të mundshme në çdo nivel apo kategori.
Më parë, ishte kryeministri britanik, Boris Xhonson, që deklaroi se do të ishte “e paimagjinueshme” që të kishte “marrëdhënie normale sportive” me Rusinë e Putinit pas pushtimit të Ukrainës. Me fjalë të ngjashme me Federatën Angleze ka qenë edhe Federata e Futbollit të Uellsit: “Mendimet tona dhe solidariteti ynë janë me Ukrainën”, – thuhej në deklaratën e tyre. Danimarka, e kualifikuar për në Botërorin e Katarit, ishte edhe më e fortë kur fliste për një “përjashtim të Rusisë nga të gjitha sportet”.
Në fakt, reagimet e botës së futbollit nuk ndalojnë. Të parat reaguan Polonia, Suedia dhe Republika Çeke, që folën për mosluajtjen fare me Rusinë ndeshjet e “play-off”-it për Botërorin në zonën e UEFA-s, më 24 dhe 29 mars. FIFA vendosi që Rusia të mos i luajë ndeshjet në fushën e vet, të mos mbajë emrin e saj dhe të mos paraqitet me simbolet kombëtare, duke e paralajmëruar që mund të mbesë jashtë Botërorit. Kundrejt dëshirës për të mos luajtur fare me Rusinë, tashmë i mbetet FIFA-s të bindë skuadrën e Levandovskit që të pranojë të luajë në gjysmëfinalen e “play-off”-it më 24 mars në një fushë neutrale, në kushtet e përcaktuara tashmë.
Por FIFA dhe UEFA, kanë paralajmëruar Rusinë se nëse situata me Ukrainën nuk do të përmirësohet shpejt, atëherë mund ta përjashtojnë atë nga të gjitha veprimtaritë ndërkombëtare.