Gjergj Vyshka 08.03.2017 09:45
Shumë lot dhe dhimbje, por dhe kurora me lule e karafila të kuq në përcjelljen për në banesën e fundit të Muhamet Malos, mundësit kampion, presidentit të nderit të Federatës Shqiptare të Mundjes, biznesmenit të suksesshëm, por mbi të gjitha humanistin. “Kemi humbur profetin e sportit”, do të thoshte kampioni i mundjes, Elis Guri. “Ishte kampioni i sportit, por dhe kampioni i humanizmit”, do ta cilësonte sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit, Ilir Shulku.
E ndërkohë në mesazhin e tij presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Viron Bezhani, do të deklaronte: “Të hënën pasdite është ndarë nga jeta Muhamed Malo, një nga njerëzit më human dhe më të dashur, një njeri që jetën e lidhi përgjithnjë me sportin. Ai ishte një njeri që fitoi respektin e të gjithëve, pasi nuk tha kurrë “Jo”, duke qenë gjithnjë pranë njerëzve. Kjo botë humbi një njeri të madh, që u rrit me sportin, punoi për të dhe ishte gjithnjë pjesë e tij. Dhe jo vetëm i sportit, pasi sukseset e tij në jetë vështirë se mund të përsëriten sot nga të tjerë. Kjo e bëri atë krenar dhe unik duke treguar se nuk është kampion vetëm në sport, por kudo që ai punoi. Një njeri që do të na mungojë shumë, pasi figura e tij ishte e dashur për të gjithë ata që e kanë njohur. Sportit shqiptar dhe veçanërisht atij të mundjes do t’i mungojë një kampion, një President, një dashamirës që gjithnjë e ka dashur këtë sport duke qenë gjithnjë pranë tij. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të dashur. Lamtumirë miku ynë i dashur”. Ndërkohë homazhet për të janë mbajtur në hollin e Radio Televizionit Shqiptar, ndërsa në ora 14:00 është përcjellë për në banesën e fundit në Tufinë. Lamtumira e Muhamet Malos ishte madhështore, ashtu sikurse ishte në jetën e përditshme kampioni shumëplanësh…