AlbanianSport.com 07.04.2015 11:10
ASNN – “Lorik Cana, zemra e Shqipërisë”. Ky është titulli i një reportazhi të Grupit mediatik “Bein Sport”, që është i shtrirë në shumë vende të botës, kushtuar Lorik Canës dhe ëndrrës së të gjithë shqiptarëve për të marrë pjesë në “Euro 2016”. Kapiteni i kuqezinjve, që në kraharor ka shqiponjën e Lacios, ndërsa në krah shqiponjën simbol të kombit të tij, thekson se përfaqësuesja shqiptare mbështetet nga një popull i tërë në rrugëtimin e gjatë e të vështirë për të prekur finalet e Euro 2016.
Lorik Cana, thuhet më tej në këtë reportazh, nuk e ka harruar kurrë vendlindjen e tij, ku ka marrë edhe mësimet e para. Ai është një shqiptar, i Kosovës. Kujtimet e fëmijërisë, të ruajtura me shumë kujdes nga gjyshi i tij, Ganiu, i ngjallin shumë nostalgji. Më tej, Agim Cana, babai i Lorikut, tregon banesën dhe vendin ku djali i tij kaloi vitet e parë të jetës dhe ku shfaqi talentin për futbollin. Në vitin 2002, Lorik Cana zhvilloi ndeshjen e parë me fanellën kuqezi përballë skuadrës së vendlindjes së tij, Kosovë, në stadiumin e Prishtinës.
Loriku e kishte bërë zgjedhjen Shqipërinë para një ftesë eventuale nga Franca. Lorik Cana ka arritur shumë në karrierën e tij: Ka luajtur me Paris Sen Zhermenin dhe Marsejen në Francë. Madje është aktivizuar dhe me Sandërlendin në Premier Ligë, me Gallatasarajin në Turqi dhe me Lacion në Serinë A. Ëndrra që i ka mbetur është një: “Të marrë pjesë me Shqipërinë në finalet e një turneu madhor, sikurse është Evropiani”, – përfundon reportazhi i “Bein Sport”.