Gjergj Vyshka 04.10.2014 19:25
Për presidentin e Federatës Shqiptare të Bilardos, Edmond Loku, pavarësisht se ka një keqardhje për largimin e Malajt me Greqinë, kjo ikje e tij nuk ishte aspak çudi, sepse kishte kohë që ishte paralajmëruar.
“Shiko, – thotë Loku në linjë telefonike, – ai ka sjellë dy medalje bronzi për Shqipërinë, më 2012-ën nga Evropiani i Luksemburgut dhe një vit më parë nga Evropiani i Sllovenisë në Portoroz.”
“Në të dy rastet, edhe pse janë medalje të të rriturve dhe që në një farë mënyre paguhen dhe me ligjin e sportit në fuqi, qeveria Berisha nuk e pagoi”, – ka vijuar presidenti i bilardistëve shqiptarë.
“Prandaj ai na kishte thënë që nuk vjen më, sepse tashmë do të bëjë për Greqinë, atje ku dhe trajtohet mirë, – ka theksuar ai. – Ne na vjen keq. Megjithatë bilardoja shqiptare, si një sport i përhapur në të gjithë vendit, prodhon të tjerë sportistë më të mirë.”
“Dhe një prej tyre është dhe Eklent Kaçi me medaljet e tij në Portoroz. Kështu që po përdor shprehjen: “një bie dhe mijëra ngrihen””, – ka përfunduar presidenti i Federatës Shqiptare të Bilardos, Edmond Loku.