AlbanianSport.com 11/04/2020 18:20
ASNN – Lojërat Olimpike të Tokios, të shtyra për në 2021-shin, mund të jenë në dyshim edhe vitin e ardhshëm. Kështu ka deklaruar kreu ekzekutiv i këtyre Lojërave, Toshiro Moto. Lojërat Olimpike “Tokio 2020” supozohej të mbaheshin në korrik dhe në gusht të këtij viti, por janë shtyrë për verën e vitit të ardhshëm për shkak të epidemisë së koronavirusit.
Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, ka deklaruar këtë javë se në pjesën më të madhe të vendit do të shpallet gjendja e emergjencës, duke synuar parandalimin e shpërthimit të mëtejshëm të koronavirusit. “Nuk mendoj se ndokush mund të thotë se do të jetë apo jo e mundur të kontrollohet deri në korrikun e vitit të ardhshëm, – ka deklaruar Toshiro Muto për rrjetin prestigjioz amerikan, CNN.
“Qartësisht, ne nuk jemi në pozicionin që të japim përgjigje të saktë, – ka vijuar ai. – Në vend se të mendojmë për alternativat, njerëzimi duhet të bashkojë teknologjinë dhe mençurinë për të punuar shumë, që të zbulohet trajtimi, ilaçi dhe vaksina. Ne kemi vendosur t’i shtyjmë Lojërat për një vit dhe kjo do të thotë se të gjithë ne duhet të punojmë shumë për t’u bërë gati për këtë Olimpiadë.”.
Japonia ka konfirmuar më shumë se 5,500 raste të prekurish me “Covid-19”, por vetë 99 të vdekur. Por ekspertët vlerësojnë se shifrat mund të jenë dukshëm më të mëdha, për shkak të testeve jo të mjaftueshme. Ndërkohë, edhe pse në 2021-shin, Lojërat Olimpike do të vazhdojnë të quhen “Tokio 2020”. Kjo është hera e parë në histori që një edicion i Lojërave Olimpike është shtyrë në kohë paqeje. Lojërat Olimpike në vitet 1916, 1940 dhe 1944 janë anuluar për shkak të luftërave botërore.