Nga AlbanianSport.com 28/01/2019 18:45
ASNN – Lojërat me dorë “pushtohen” nga të huajt, “damkë e pashlyeme” në ballin e sportit shqiptar. Poema e mjerimit e Migjenit është skalitur në historinë e letërsisë shqipe si një prej më të arrirave, sepse del në pah shpirti i poetit dhe realiteti në një kohë të caktuar me shumë dhimbje. Ndoshta krahasimi nuk duket me vend për kohën e tanishme, por të paktën në sportet e lojërave me dorë mund të gjejë vend patjetër. Zhvillohet një muaj merkato dimërore dhe klubet bëjnë lëvizje për të forcuar pozitat e tyre dhe krejt normale të rrisin edhe pretendimet për titullin.
Por si në radhët e basketbollit, ashtu dhe në atë të volejbollit, klubet kanë vetëm një drejtim ku kërkojnë lojtarë: jashtë vendit. Domethënë aq shumë ka rënë puna e ekipeve zinxhirë dhe e klubeve në tërësi në Shqipëri, sa nuk gjen dot elementë cilësorë dhe, për të përmbushur nevojat, klubet turren në tregun e rajonit për të gjetur lojtarë e lojtare që bëjnë diferencë. Madje nuk ndalen vetëm në Ballkan, por shkojnë deri në Kubë, SHBA, Azi e Afrikë, kudo, vetëm për të mundësuar një basketbollist, apo volejbolliste. Dikur Shqipëria ishte vatër e talenteve të shumta në të dy këto sporte.
Madje me suksese të mëdha sikurse basketbolli i femrave më 1987 në Lojërat Mesdhetare të Latakias (Siri), apo me volejbollin dinamovit meshkuj e femra, deri në katërshen e Evropës. Por, sot, klubet e basketbollit e të volejbollit kanë vetëm një alternativë, të afrojnë lojtarë e lojtare të huaja. Çfarë nuk dëgjon nga merkato e basketbollit dhe e volejbollit në Shqipëri: “Teuta forcohet me dy amerikanë”, “Partizani në volejboll afron një tjetër serbe dhe një kubaneze”, “Vllaznia e dashuruar me malazezët”, “Tirana gjen lojtarë në Kroaci”, “Flamurtari në pritje të dy ruseve”.
Tituj të mëdhenj dhe merkato e madhe vetëm me elementë të huaj. Po basketbolli dhe volejbolli shqiptar a kanë ndonjë element cilësor që mund të jetë në qendër të vëmendjes? Pse gjithë kjo dashuri për lojtarët dhe lojtaret e huaja? Ku janë ekipet zinxhirë të klubeve, pse nuk prodhojnë elementë? Ku janë talentet që reklamohen kaq fort nga federatat dhe klubet përkatëse, pse nuk i shohim? Pse nuk aktivizohen lojtarët vendas, a ka rregulla të qarta për të huajt që shkelin në kampionatin shqiptar? Të gjitha këto pyetje mbeten pa përgjigje, sepse faji në Shqipëri është jetim.
Askush nuk mban përgjegjësi, për asgjë. Dhe pasoja është kjo gjendje katastrofike e lojërave me dorë, “një damkë e pashlyeme” në ballin e sportit shqiptar. Të huajt vijnë e marrin paratë, ndihmojnë një skuadër të caktuar të arrijë objektivat sezonalë, por cilësia e lojërave me dorë në Shqipëri mbetet e njëjta. Ja, pra, që edhe në këto sporte lipset një strategji kombëtare afatgjatë, ku padyshim shteti ka peshën e vet të përgjegjësisë, sikurse klubet duhet të mos kënaqen më me thërrime apo të vetëkënaqen pse janë pjesëmarrës në garë. Po nuk u mendua seriozisht për këtë punë, basketbolli e volejbolli do të vijojnë të kërkojnë lojtarë në 5 kontinente, në të katër anët e botës, nga Kina në SHBA e nga Afrika e Jugut në Rusi.