AlbanianSport.com 12/10/2021 21:40
ASNN – Kombëtarja shqiptare e futbollit është ndeshur të martën në mbrëmje me Poloninë, në takimin e vlefshëm për grupin I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022”, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Në fakt, pjesa e parë e ndeshjes së luajtur në Stadiumin “Arena Kombëtare” në kryeqytet dhe ka nisur e barazpeshuar, me një lojë të luftuar në mesfushë, por minuta e 9-të sjell 3 përpjekje të rrezikshme të kuqezinjve dhe Uzuni e Manaj bllokohen nga mbrojtja, kurse Ramadani është i pasaktë në goditjen nga larg.
Ndeshja ndizet dhe 5 minuta më pas, në krahun e kundërt të fushës, janë polakët që rrezikojnë seriozisht pas një rrëmuje në zonën e Kombëtares. 35 minutat e mbetura do të vijojë të karakterizohen nga një lojë e ngjeshur, me të dyja skuadrat që me intervale të shkurtëra e zhvendosin lojën sa tek zona e njërës e sa tek zona e tjetrës.
Por pa arritur të krijojnë raste të mirëfillta apo të pastra për shënim, ndërsa nuk ka munguar as nervozizmi që ka sjellë edhe nga një karton të verdhë për secilën skuadër, teksa Ismajli për kuqezinjtë dhe Buksa për polakët e shkruajnë emrin në bllokun e gjyqtarit. Kësisoj 45 minutat e para mbyllen me rrjeta të paprekura.