ASNN – Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar po sjell për sportdashësit drejtpërdrejt ndeshjet e dy veprimtarive madhore të lojërave me dorë, Kampionatit Botëror të Basketbollit për Meshkuj dhe atij të Volejbollit për Meshkuj. Ndërkohë që basketbolli ka përcaktuar dy çiftet gjysmëfinaliste, volejbolli vazhdon fazën e dytë të ndeshjeve në grupe, ku 16 skuadrat janë ndarë në 8 grupe secili, prej nga 4 të parat e çdo grupi do të vazhdojnë më tej në çerekfinale.
Kampionati Botëror i Basketbollit për Meshkuj, i cili po zhvillohet në Spanjë, ka përcaktuar tashmë dy çiftet gjysmëfinaliste, për t’ia lënë më pas fjalën 4 më të mirave të planetit në këtë sport. Ndërkohë që të martën është njohur çifti i parë i gjysmëfinaleve, ai Lituani-SHBA, të mërkurën është njohur fillimisht një tjetër gjysmëfinaliste, që është Serbia. Kjo e fundit ka triumfuar në duelin me Brazilin, me rezultatin bindës 84-56. Ballkanasit kanë qenë dominues në çdo pjesë loje dhe të parën e kanë fituar me shifrat 21-17.
Vetëm në 10-minutëshin e dytë janë munduar të reagojnë amerikanolatinët, por Serbia e fiton edhe atë 16-15, duke vijuar të shpërthejë në atë të 3-tin, që e fiton me rezultatin e thellë 29-12. Pjesa e katërt dhe e fundit ka qenë thjesht për statistikë, por edhe atë e fitojnë serbët 18-12 dhe gjithë ndeshjen 84-56. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, që ka përcjellë gjithashtu në mbrëmje, duke nisur nga ora 22:00, edhe emocionet e superduelit evropian midis Francës dhe Spanjës.
Kjo e fundit, që është edhe mikpritëse e këtij Botërori, është mundur me rezultatin 52-65, duke i dhënë kështu lamtumirën kampionatit që në çerekfinale. Francezët do të përballen në gjysmëfinale me Serbinë. Ndërkaq, Kampionati Botëror i Volejbollit për Meshkuj, që gjithashtu po sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, vazhdon fazën e dytë të ndeshjeve në grupe, ku 16 skuadrat janë ndarë në 8 grupe secili, prej nga 4 të parat e çdo grupi do të vazhdojnë më tej në çerekfinale.