AlbanianSport.com 23.03.2016 13:20
ASNN – Trajneri Lirim Dedej e ka ushtruar sportin e karatesë në shkollat më prestigjioze në Evropë. Fillimisht është stërvitur e përgatitur në Athinë në Akademinë e Arteve Marciale “Irini”, që drejtohej nga Kristo Bolubashi, që është presidenti i Federatës Botërore të “Vado Rai” Karate, në të cilën Sekretar i Përgjithshëm është Lirim Dedej.
Më 2003, Dedej u zhvendos në Milano dhe u trajnua atje për trajner, ku dhe mori grandë 4 dan brezi i ri i akredituar nga Federata Botërore e Karatesë. Pas një karriere 12-vjeçare në karate, teksa është stërvitur dhe ka marrë pjesë në forume dhe seminare prestigjioze në Evropë, ai akumuloi një karrierë brilante.
Dhe më 2010 themeloi në Lushnjë shoqatën “Bijtë e Shqipes”, ndërsa është duke punuar shumë për përhapjen e këtij sporti burrëror dhe spektakolar në qytetin myzeqar. Falë një pune intensive sistematike dhe profesionale frytet nuk vonuan të vinin. Vetëm në 3 vitet e fundit, “Bijtë e Shqipes” numërojnë 87 medalje në veprimtari kombëtare e ndërkombëtare me grupmoshat.
E ato janë 23 ari, 26 argjendi dhe 38 bronzi. Madje rreth dy javë më parë Bijtë e Shqipes me trajnerin Dedej kanë marrë pjesë edhe në një aktivitet në Fushë-Kosovë, ndërsa u arritën tre medalje ari dhe dy bronzi. Për të gjitha arritjet dhe rezultatet, Federata Shqiptare e Karatesë e ka emëruar Lirim Dedejn trajner të ekipit kombëtar të para të rinjve dhe të rinjve, si dhe anëtar të komisionit teknik.