AlbanianSport.com 01/01/2018 18:10
ASNN – Trajneri i kombëtares së Argjentinës, Lionel Skaloni, ka publikuar listën e lojtarëve që do të grumbullohen për dy ndeshjet miqësore ndaj Meksikës më 16 dhe 20 nëntor 2018.
Në kuadër të këtyre takimeve, trajneri i bardhekaltërve amerikano-latinë ka lënë jashtë listës Lionel Mesin, i cili sidoqoftë pritej të mos grumbullohej dhe për faktin se është i dëmtuar e në fazë rikuperimi.
Por lajmin nuk e përbën mospërfshirja e futbollistit të Barcelonës, sesa fakti se, shokët e ngushtë të sulmuesit argjentinas, që janë Serxhio Aguerro dhe Gonzales Higuain, janë lënë jashtë listës.
Duket si një “fshesë” për “klanin” e Mesit në përfaqësuesen e Argjentinës, pasi dihet që Aguerro dhe Higuain janë pjesë e grupit të besuar të futbollistit 5 herë fitues të “Topit të Artë”, por që ka zhgënjyer me përfaqësuesen e vendit të tij.
Si të mos mjaftonte kjo, trajneri Skaloni ka nxituar të ftojë në përfaqësuese sulmuesin e Juventusit, Paolo Dibala, dhe atë të Interit, Mauro Ikardi, si dhe lojtarin tjetër të zikaltërve, Martinez.
Për herë të parë në sulm ftohet dhe futbollisti i Udinezes, De Pol. Vetë trajneri Skaloni refuzoi të japë komente për zgjedhjet e bëra, por lista e tij është një goditje e fortë e klanit të Lionel Mesit në kombëtaren e Argjentinës.