AlbanianSport.com 18/12/2018 23:00
ASNN – Viti 2018 ishte i suksesshëm në planin individual për mesfushorin kroat, Luka Modriç, i cili thuajse mori çdo çmim për më të mirin e vitit që jepen nga UEFA, FIFA, “France Football” etj. Por për “Këpucën e Artë” nuk kishte diskutime, sepse atë e merr lojtari që shënon më shumë. Dhe ai që shënoi më shumë për këtë vit në kampionatet elitare evropiane ishte Lionel Mesi.
Argjentinasi i Barcelonës mposhti në duel Mohamed Salahun e Liverpulit. Mesi realizoi 32 gola në La Ligën spanjolle në sezonin e kaluar, duke lënë prapa Kristiano Ronaldon dhe duke merituar kështu “Këpucën e Artë” që jepet nga revista sportive spanjolle “Marca”. “Kur nisa të luaj, – u shpreh Mesi pas marrjes së “Këpucës së Artë”, – ëndrra ime ishte të bëhesha profesionist.”
“Më pëlqen puna, përpjekja dhe, kryesorja, shokët e skuadrës, – ka vijuar ai. – Jam në skuadrën më të mirë në botë, jam lojtarët më të mirë në botë te Barcelona dhe kjo e bën gjithçka më të lehtë, që unë t’i fitoj këto çmime.” Kristiano Ronaldo pati një sezon të mrekullueshëm, gjithashtu, pasi fitoi Ligën e Kampioneve dhe ndihmoi Portugalinë në Botëror, por ai mbeti “thatë” këtë herë, pasi nuk fitoi asgjë.
Pretendonte t’i fitonte të gjitha, por ia morën Modriç e tani së fundmi Mesi, golat e të cilit vijojnë të jenë përcaktues.