AlbanianSport.com 28/03/2022 14:55
ASNN – Futbollisti 34-vjeçar lë të hapur mundësinë e mbylljes së karrierës me Argjentinën. E kishte provuar edhe më herët, por më pas kishte ndërruar mendje, duke vijuar të veshë fanellën e përfaqësueses së vendit të tij të lindjes. Por duket se këtë herë ai po e shqyrton seriozisht mundësinë e mbylljes së karrierës së tij ndërkombëtare. Dhe ndryshe nga herët e tjera, Lionel Mesi nuk e ka mohuar mundësinë e tërheqjes nga përfaqësuesja e Argjentinës.
“Me të vërtetë, nuk e di”, ka deklaruar 34-vjeçari kur u pyet nga mediat vendase lidhur me mbylljen e kapitullit të përfaqësueses. Në fakt, Botërori i këtij viti në Katar është realisht shansi i tij i fundit për të fituar të vetmin trofe që i mungon në koleksionin e tij të pasur, por ai vetë e pranoi se mund të ndryshojnë gjërat në fund të dhjetorit të këtij viti. “Unë po mendoj vetëm për sfidën e radhës, për përballjen me Ekuadorin, – ka thënë Mesi fillimisht.
Më tej, ai ka shtuar: “Pas Botërorit, më duhet të mendoj edhe një herë për shumë gjëra”. Ndonëse veprimtaria më prestigjioze e futbollit në planet është ende larg, është ende për të spekuluar për të ardhmen e Mesit me përfaqësuesen e Argjentinës. Edhe pse pse mediat iu referuan fjalëve të 34-vjeçarit se fitorja 3-0 ndaj Venezuelës, mund të ketë qenë ndeshja e tij e fundit në shtëpi me Argjentinën, teksa ai e cilësoi si një “lamtumirë në një mënyrë të kënaqshme”, ende nuk është e qartë se çfarë do të vendosë të bëjë ylli i futbollit botëror.
Natyrisht, kalimi i tij në kampionatin francez, tek Paris SG-ja nuk ka rezultuar ashtu siç shpresohej, me parizienët që u eliminuan në turin e 16-shes nga Liga e Kampioneve, dhe mediat kanë spekuluar si në lidhje me një kthim tek Barcelona, por edhe me një kapërcim të Oqeanit Atlantik, për të provuar fatin në “tokën e premtuar”, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo që është e sigurt është se fundi i këtij viti do t’u ketë dhënë padyshim përgjigje të gjitha këtyre dilemave.