AlbanianSport.com 22/02/2024 20:25
ASNN – Lihteshtejni, kundërshtari i 3-të i Kombëtares. Federata e Futbollit të Principatës konfirmon miqësoren e fillimqershorit. Pas Kilit dhe Suedisë, Shqipëria ka konfirmuar edhe një tjetër kundërshtar në rrugëtimin e përgatitjeve të saj për Evropianin “Gjermani 2024”. Bëhet fjalë për Lihtenshtejnin dhe miqësorja e fillimqershorit është konfirmuar nga Federata e futbollit të Principatës, ndërsa nuk ka ende as datë, as orë e as vendin ku do të luhet.
Zbulohet një tjetër kundërshtar i Shqipërisë gjatë përgatitjeve për të marrë pjesë në Evropianin e Gjermanisë. Kështu pas zyrtarizimit të miqësoreve të marsit, ndaj Kilit më datën 22 në Parma dhe ndaj Suedisë, tri ditë më vonë në Stokholm, është zyrtarizuar edhe njëri prej testeve të muajit qershor. Bëhet fjalë për Lihtenshtejnin, me të cilin Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka rënë dakord për një test miqësor gjatë grumbullimit të muajit qershor, që do të bëhet para nisjes së Kampionatit Evropian.
Lajmi është konfirmuar nga Federata e Futbollit në Lihtenshtejn, që pranon se një nga miqësoret e tyre do të jetë ajo ndaj Shqipërisë, teksa thekson se mbetet për t’u përcaktuar vetëm data, ora dhe vendi. “Në qershor, dy finalistë të Evropianit do të duan të kontrollojnë formën e tyre kundër Lihtenshtejnit pak para fillimit të Euro 2024-ës. Fillimisht, në fillim të muajit në një vend dhe datë ende të pacaktuar, do të luajmë kundër Shqipërisë, më pas në 8 qershor në Bukuresht kundër Rumanisë”, – thuhet në komunikatën e Federatës së Futbollit të Lihtenshtajnit.