AlbanianSport.com 01/02/2024 14:00
ASNN – Ku po shkojnë paratë e ndara në bazë të Ligjit për Sponsorizime në Sport? Miliona euro shkojnë në klube të basketbollit. Pra, shumë prej këtyre milionave te lojtarë e trajnerë të huaj. Natyrisht, nëse nuk keqpërdoren paratë, gjë për të cilën ka dyshime të mëdha. Janë tri klube të basketbollit kosovar që gjatë vitit 2023 kanë realizuar të ardhura prej mbi 1 milion Eurosh në bazë të Ligjit për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Pra, paratë që kompanitë e ndryshme është dashur t’i paguajnë tatim shtetit, i kanë destinuar ato për zhvillim të sportit, në bazë të ligjit që e mundëson këtë.
Janë mbi 15 milionë Euro që janë ndarë për sport gjatë vitit kalendarik 2023, bazuar në këtë ligj. Në vitin 2022 ishin ndarë rreth 11 milionë. Mbi 3 milionë e gjysmë Euro kanë shkuar në vetëm 3 klube të basketbollit. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur, listën e plotë të marrëveshjeve për sponsorizim, përkatësisht vërtetimet e lëshuara në bazë të të cilave nënshkruhen marrëveshjet. Në listë janë përfshirë edhe disa marrëveshje për të cilat kërkesa ishte bërë në nëntor e dhjetor të vitit 2022, por për të cilat vërtetimet janë lëshuar gjatë vitit 2023.
Në bazë të listës zyrtare, klubi i basketbollit Peja ka përfituar nga sponsorizimi plot 1 milion e 372 mijë e 200 Euro. Është rekord sa u takon të ardhurave nga një klub i basketbollit nga Ligji për Sponsorizim në periudhën njëvjeçare. Pason klubi i basketbollit Trepça me 1 milion e 143 mijë e 900 Euro. Sigal Prishtina është aty pranë, me 1 milion e 106 mijë e 379 Euro. Milionëshit i është afruar edhe klubi nga Suhareka, “Golden Eagle” Ylli. Në bazë të marrëveshjeve nga sponsorizimi, të realizuara gjatë vitit 2023, “Golden Eagle Ylli: ka regjistruar të ardhura prej 868 mijë Eurove.
Klubet e tjera të Superligës së Kosovës në basketboll kanë të ardhura dukshëm më të vogla nga sponsorizimi. Bashkimi i Prizrenit ka përfituar 268 mijë Euro. “Proton Cable” Prizreni kishte të ardhura në bazë të këtij ligji prej 231 mijë e 800 Euro. Vëllaznimi ka realizuar të ardhura prej 144 mijë euro, ndërsa Istogu 49 mijë e 500 euro. Plot 1519 vërtetime janë lëshuar në sport për realizim të marrëveshjeve për sponsorizim. Pra, janë bërë 1519 marrëveshje në bazë të cilave bizneset e ndryshme e përkrahin sportin, përkatësisht klubet sportive dhe federatat.
Shumica e parave kanë përfunduar në futboll e në basketboll. Disa prej marrëveshjeve të klubeve të basketbollit kanë vlerë shumë të madhe. Marrëveshjet prej dhjetëra mijëra eurosh janë të shumta e nga shumë klube. Ka fare pak transparencë, e në shumë raste aspak, lidhur me këto para. Pak prej klubeve mbajnë kuvende, e edhe kur i mbajnë janë më shumë formalitet. Raport të auditimit nuk publikon thuajse asnjë klub. Në shumicën e klubeve për paratë dinë dy-tre persona, ndërsa shumica e klubeve nuk kanë kryesi të mirëfillta e kuvende që kërkojnë përgjegjësi.
Të ardhurat nga sponsorizimi nuk janë të vetmet për klubet. Shumica përfitojnë nga përkrahja komunale, pastaj nga shitja e biletave, të drejtat televizive. Por Ligji për Sponsorizim është burimi kryesor tash e shumë vjet. Ka dyshime të shumta nëse mjetet vërtet shërbejnë për zhvillimin e sportit në vend. Nëse ato përfundojnë te sportisti apo diku tjetër. Mungesa e transparencës sjell dyshime të mëdha. Ligji parashikon që me këto mjete të përkrahen aktivitetet kulturore, rinore dhe sportive, me qëllim që “të realizohet interesimi i përgjithshëm i cili sjell përmirësimin e jetës individuale dhe shoqërore të qytetarëve, organizatave biznesore, fondacioneve, personave fizik dhe juridik në Republikën e Kosovës”.
“Sponsorizuesit për sponsorizimet në aktivitet e sportit u njihet zbritja tridhjetë për qind (30 %) nga tatimi në fitim”, shkruhet në nenin 12 të Ligjit. Në ligj shkruan se ATK-ja dhe organet kompetente mbikëqyrin dhënien, pranimin dhe shfrytëzimin e sponsorizimit. Zërat që ligji të plotësohet e të ndryshohet sa shkojnë e shtohen. Me prioritet vlerësohet kontrolli se ku shkojnë paratë, nëse kompanitë apo persona në kompani kanë hise ilegale në atë që e ndajnë për klubet sportive. Vlerësohet se vendosja e një “tavani” se sa mund të përfitojë një klub është e nevojshme e po ashtu saktësimi se sa mund të jenë pagat e sportistëve e të trajnerëve me mjetet që realisht i takojnë shtetit e që destinohen për sport.