Gjergj Vyshka 20.09.2016 14:20
I miratuar më 21 prill 2005, i ndryshuar më 2007-ën dhe 2008-ën asokohe me firmën e presidentit të Republikës, Bamir Topi, ligji sërish është gati për ndryshime, por gjithnjë krijon probleme për sportin. Flet ish-hartuesi i Ligjit për Sportin. Në nenin 22 për zgjidhjen e konflikteve është cilësuar: “Çdo anëtar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar ka të drejtën e ankimimit për vendimet e organeve drejtuese dhe mosmarrëveshjet përpara Këshillit të Arbitrazhit Sportiv pranë Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar”.
“Në këtë mes, – thotë Shytaj, – janë penguar të gjithë individët e tjerë që nuk janë anëtarë të KOKSH-it. Është fjala për klube sportive, gjyqtarë, po pse jo dhe Federata Sportive që nuk janë anëtare. Që do të thotë se i hiqet e drejta për të shfrytëzuar shkallën e tretë të gjykimit për një vendim që nuk është i drejtë. Dhe kjo shton konfliktet, pakënaqësitë dhe gjithçka tjetër. Nuk qëndron”. Dhe në fakt, ekziston një rast konkret dhe i freskët për këtë që shpjegon Shytaj.
Nuk duhet harruar që më shumti në volejboll gjyqtarët ndërkombëtar Telo e Mujo për problemet e tyre me Federatën janë drejtuar tek Gjykata e Këshillit të Arbitrazhit Sportiv. Kështu ka bërë mundja, gjimnastika, taekuondoja, por gjithnjë kanë qenë sportistë e trajnerë ndaj Federatë. Kurse tashmë vetëm duke u ankuar Federatat anëtare të KOKSH do të thotë që të gjithë të tjerët duhet të mbyllin gojën dhe të pranojnë dhe atë vendim që nuk është në interes të tyre…