AlbanianSport.com 15.11.2016 11:40
ASNN – Presidenti i Federatës së Mundjes, Martin Biba, kërkon përfshirjen e federatës që ai drejton në diskutimet për ndryshimet në Ligjin për Sportin, ndërkohë që është dakord me Federatën Shqiptarë të Futbollit duke e quajtur të panevojshëm Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. “Koha e përgatitjes së këtij ligji ka qenë e kufizuar, – ka thënë kreu i organizmit që qeveris mundjen shqiptare. – Ne prisnim një ligj të plotë, të diskutuar gjerësisht, por Federata e Mundjes nuk është ftuar në diskutime.”
“Kam kontaktuar me ndërkombëtarët në lidhje me krijimin e Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, në këto 6 vjet që drejtoj, dhe më kanë thënë se në vendet e Evopës Lindore këto organe nuk kanë gëzuar besueshmëri, – ka vijuar ai. – Për sa i përket emërtimit, Komiteti Olimpik Shqiptar është ai i duhuri dhe nuk duhet ndryshuar, pasi Komiteti Olimpik Kombëtar bie ndesh me Kosovën. Për sa i përket buxhetit, ashtu si futbolli, edhe Federata Shqiptare e Mundjes nuk ka një buxhet të madh.”
“Kjo edhe pse ka pasur rezultate të shkëlqyera në arenën ndërkombëtare, duke nisur me sukseset e Sahit Prizrenit dhe Egzon Shalës, – ka theksuar Biba. – Sporti i mundjes është sport elitar dhe po rritet nga dita në ditë. Për sa u përket sportistëve elitarë, nuk përcaktohen në ligj çfarë shume do të marrin këta sportistë në formë shpërblimi, në të ardhmen. Sportisti duhet të trajtohet financiarisht, por nuk sqarohen në ligj shumat, nuk sqarohet a do të shpërblehet trajneri, që më parë shpërblehej.”
“Një ministër nuk mund të përcaktojë çfarë statuti ka zgjedhur një federatë sportive, ndaj mendoj se duhet hequr pika ku ministri miraton statutin e federatave”, – ka përfunduar Presidenti i Federatës së Mundjes, Martin Biba.