AlbanianSport.com 13.11.2014 14:20
Daniel Godelli për titullin “kampion bote” në peshëngritje, të siguruar dje në Almati të Kazakistanit, të paktën edhe sipas Ligjit të Sportit jo të rinovuar, do të përfitojë 10 milionë lekë të rinj. Është vetëm për dygarëshin, pavarësisht se ai është “kampion bote” në shkëputje dhe “nënkampion bote” në shtytje.
Bashkë me të përfiton dhe trajneri Sokol Bishanaku me të cilin në një shumicë aktivitetesh ndërkombëtare ka qenë më shumë se sa i suksesshëm. Ndërkaq, kjo medalje e artë në Botërorin e Të Rriturve të Peshëngritjes nga Daniel Godelli ka shërbyer si një motiv që homologët e federatave të ndryshme shumësportëshe të urojnë njëri-tjetrin.
Kështu ka ndodhur me Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Mundjes, Ndriçim Spahiu, i cili ka uruar Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Muharrem Berisha. Madje disa ditë më përpara, të dy së bashku kanë qenë në një vizitë në Greqi, atje ku ka qenë i grumbulluar ekipi kombëtar i të rriturve në peshëngritje.
“I uroj gjithë të mirat Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për titullin “kampion bote” të fituar me meritë nga Daniel Godelli. Suksese të mëtejshme të gjithë stafit të peshëngritjes. Ju lumtë!”- ka uruar Spahiu. E kështu të gjithë janë bërë krenar për medaljen e artë të Botërorit të Daniel Godellit në Almati.