AlbanianSport.com 18/01/2021 22:25
ASNN – Edvin Libohova jep dorëheqjen nga ky post, ende pa emër pasardhësi i tij. Liga Profesioniste e Futbollit ka mbetur pa president, pasi Edvin Libohova ka dhënë të hënën dorëheqjen nga ky post. Në fakt, ka ardhur si një rrufe në qiell të hapur ky vendim, teksa nuk ka patur asnjë njoftim zyrtar dhe gjithçka është mësuar nga një prononcim që Libohova ka dhënë për televizionin Top-Channel.
“Për shkak të ritmit dhe angazhimit maksimal që duhet në këto momente për t’u marrë me ligën dhe pamundësisë time për të qenë i angazhuar plotësisht i kam paraqitur anëtarëve dorëheqjen, – ka deklaruar eksperti i njohur financiar, i cili mban gjithashtu edhe postin e zv/presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit.
Në fakt dorëheqja e tij vjen në momentin kur Liga Profesioniste e Futbollit po funksiononte si e tillë dhe kishte nisur të merrte fuqinë që duhej, teksa u përfshi muaj më parë edhe në një përballje me qeverinë, që çoi në një bojkot të zgjatur dhe në shtyrjen e fillimit të sezonit të ri.
“Rëndësi ka që qeveria i njohu problemet dhe i pranoi, herët a vonë do të bëhet një ligj funksional dhe jo formal”, – ka deklaruar Libohova lidhur me këtë çështje. Kjo dorëheqje pritet të ndikojë në drejtimin që Liga do të marrë në të ardhmen e saj, ndërsa ka sqaruar se do mbajë postin deri në zgjedhjen e presidentit të ri.
Deri në momentin e përgatitjes së këtij shkrimi, nuk ka asnjë informacion zyrtar në profilin e Ligës Profesioniste të Futbollit as lidhur me dorëheqjen e Libohovës e as lidhur me kandidaturat që do ta pasojnë atë në atë post. Ndërkaq, i kontaktuar nga RTSH Sport, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka deklaruar shkurtimisht nëpërmjet komunikimit elektronik se “Libohova ka njoftuar presidentët e klubeve që nuk do të vazhdojë.
“Por ai do të qëndrojë në detyrë sa të zgjedhin nje tjeter, – ka vijuar kreu i organizmit që qeveris futbollin shqiptar. “Unë nuk e kam propozuar as Libohovën dhe as kam për të propozuar një tjetër. Vetë presidentët duhet të gjejnë konsesus për një tjetër”, – ka përfunduar presidenti i FSHF-së.