AlbanianSport.com 10/03/2020 21:40
ASNN – Njihen dy çerekfinalistet e para, RB Lajpcigu dhe Atalanta vijojnë më tej. Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të Evropës ka luajtur të martën në mbrëmje takimet e kthimit të dy çifteve të para të turit të saj të 16-shes, duke përcaktuar edhe dy ekipet e para çerekfinaliste.
Pasi ka luajtur përgjatë dy javëve të shkuara ndeshjet e para të 8 prej çifteve të turit të saj të 16-shes, Liga e Kampioneve zhvillon këtë mesjavë ndeshjet e kthimit të 4 çifteve të tjera të kësaj faze. Dhe të martën në mbrëmje janë luajtur ndeshjet e para të çifteve RB Lajpcig-Totenhem dhe Valencia-Atalanta.
Në takimin e zhvilluar në Gjermani dhe me praninë e tifozëve, Lajpcigu e ka mbrojtur atë fitore minimale të arritur në Londër, duke e mundur Totenhemin edhe në ndeshjen e kthimit. Gjitçka është vendosur brenda 21 minutave të para, falë një dygolëshi të Sabitcerit, që vulos kështu kualifikimin historik të skuadrës gjermane midis 8 më të mirave të Ligës së Kampioneve.
Ndërkaq, në takimin tjetër të mbrëmjes, të luajtur në Stadiumin Mestaja të boshatisur, Valencia vendase nuk ka arritur ta përmbysë atë humbje të thellë, 1-4, që pati pësuar në takimin e parë në Stadiumin “San Siro”, duke vijuar madje të mundet edhe në takimin e kthimit.
Një 4-golësh që mban firmën e Josip Iliçiçit, edhe falë dy 11-metërshve të realizuar me sukses në pjesën e parë, u ka dhënë italianëve një fitore me shifrat 4-3 dhe bashkë me të edhe kualifikimin për në çerekfinale të veprimtarisë më prestigjioze të klubeve të Evropës.