AlbanianSport.com 27/12/2018 23:35
ASNN – Lionel Mesi është sulmuesi më i mirë në 5 kampionatet më të mëdhenj tç vendeve evropiane, pasi ka shënuar 15 gola në 15 ndeshje me Barcelonën në kampionatin spanjoll, por së fundmi mësohet se ai është pranë dy rekordeve mjaft domethënëse të karrierës së tij, që e radhisin atë krahas emrave të mëdhenj të goleadorëve historikë.
I gjendur në Rozario të Argjentinës, pra në vendlindjen e tij, Mesi është duke shijuar pushimet me familjen e tij, por në të njëjtën kohë ai po mendon për sfidat e radhës. Mesi shënoi kundër Celta Vigos në ndeshjen e fundit më 22 dhjetor 2018 dhe tani është vetëm dy gola larg kuotës 400 gola në garat e mëdha. I vetmi futbollist që mund ta rrezikojë është Aritz Aduriz që ka shënuar 155 gola për Atletikon e Bilbaos.
Ndërsa pas tyre vjen Benzema me 132 gola. Kur La Liga të rifillojë më 6 janar 2019, Mesi ka mundësinë e parë që të shënojë golat e radhës kundër Hetafesë, në fushën e kësaj të fundit. Kjo do të jetë një mundësi që ai të kapërcejë 400 golat në kampionat elitar, për të hyrë në histori krahas emrave të mëdhenj të futbollit botëror. Duhet thënë se Mesi është tani vetëm dy gola larg një shifre të pabesueshme që e radhit atë me më të mëdhenjtë e futbollit botëror.
Ai do t’i bashkohet një grupi elitar që përfshin; Imre Shloser, Xhimi MekGrori, Kristiano Ronaldo dhe Uve Zeler. Por “pleshti” argjentinas është ende larg për t’i zënë dy lojtarë që kanë shënuar mbi 500 gola. Dhe ata janë Josep Bikan dhe hungarezi i famshëm Ferenc Pushkash. Sidoqoftë, Mesi ka ende një karrierë të gjatë përpara.