AlbanianSport.com 16.05.2015 16:55
Pas dështimit në Ligën e Kampioneve, siç shihet, e ardhmja e Karlo Ançelotit në stolin e Realit të Madridit është vënë në dyshim të madh pas eliminimit që pësuan “Los Blancos” në gjysmëfinalen përballë Juventusit. Megjithatë, janë të shumtë ata që dëshirojnë vazhdimësinë e trajnerit që vitin e kaluar fitoi 4 trofe me klubin kryeqytetas.
Në një sondazh të realizuar nga e përditshmja madrilene “As”, ku në votim kanë marrë pjesë mijëra tifozë të Realit, shumica e të cilëve kërkojnë qëndrimin e Ançelotit. 63,2 % e tifozëve që kanë që kanë marrë pjesë në sondazh kanë qenë pro vijueshmërisë së 55-vjeçarit italian në stolin e klubit “mbretëror”.
Ndërsa vetëm 36,8 % e votuesve kërkojnë shkarkimin e Ançelotit. Në të njëjtën linjë me tifozët qëndrojnë edhe futbollistët e Realit të Madridit, të cilët gjithashtu dëshirojnë të kenë në drejtim ish-trajnerin e Milanit, Çellsit dhe Paris SG-së edhe sezonin e ardhshëm.
Menjëherë pas eliminimit ndaj Juves shumë futbollistë me peshë dolën në mbështetje të italianit të stolit. Serxhio Ramos theksoi se nëse Reali fitoi për herë të 10-të Ligën e Kampioneve sezonin e kaluar, kjo u arrit falë Ançelotit. Ndërkohë, Marcelo shtoi se Ançeloti është një trajner fitues dhe po të ishte për të do ai do të vazhdonte punën në krye të skuadrës.
Toni Kros nga ana e tij theksoi se italiani është një trajner i shkëlqyer ndërsa Kristiano Ronaldo bëri me dije se ndihet mirë kur punon me të dhe do të ishte i lumtur ta bënte një gjë të tillë edhe gjatë viteve në vazhdim. Gjithsesi qëndrimi i Ançelotit në stolin e madrilenëve nuk varet as nga futbollistët dhe as nga tifozët sepse gjithçka është në dorë të presidencës.
55-vjeçari ka një kontratë deri në qershor të 2016-s me klubin e Realit, por Florentino Perez ende nuk ka vendosur se çfarë vendimi do të marrë për trajnerin. Madje, edhe shefi i marrëdhënieve me publikun Emilio Butragenjo ka evituar të përgjigjet në dy raste përsa i përket të ardhmes së Ançelotit.