AlbanianSport.com 08/01/2020 22:05
ASNN – Luhet edhe sfida e parë të gjysmëfinales së dytë të Kupës së Ligës Angleze. 2020-ta vijon me transmetimet ekskluzive të veprimtarive madhore sportive në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar dhe Kupa e Ligës Angleze ka luajtur të martën takimin e parë të gjysmëfinales së dytë. Ndeshja midis Leister Sitit dhe Aston Vilës, që u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në kanalin RTSH Sport, u mbyll me rezultatin 1-1.
Pas takimit të parë të çiftit të parë të gjysmëfinaleve të Kupës së Ligës Angleze, ku Mançester Siti mposhti të martën bindshëm në fushën e vet rivalen bashkëqytetase, Mançester Junajtid, të mërkurën është luajtur edhe takimi i parë i çiftit tjetër, atij midis Leister Sitit dhe Aston Vilës. Sikundër derbi i Mançesterit, edhe kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar dhe 20 minutat e para kanë qenë kryesisht të baraspeshuara, me të dyja ekipet të paqarta në lojën e tyre.
Megjithatë, është Leister Siti që e hedh më tepër vështrimin drejt portës kundërshtare, duke ndërtuar edhe raste të volitshme për shënim. Por, përkundër rrjedhës së lojës, është Aston Vila që do të gjejë e para golin në minutën e 28-të, me anë të francezit Frederik Gilber. Pavarsisht golit të pësuar, skuadra vendase nuk do të jepet, por do të vijojë të luajë në sulm, duke kërkuar të gjejë sa më shpejt barazimin.
Por, përtej përpjekjeve të Leister Sitit, pjesa e parë do të mbyllet me epërsinë minimale të Aston Vilës. Edhe pjesa e dytë do të shohë vendasit më kërkues përballë miqve të kujdesshëm për të mbrojtur epërsinë. Por trysnia e Leister Sitit do të japë fryte në minutën e 74-t, kur një top i humbur nga miqtë në mesfushë, do të pasohet saktësisht nga Vardi për Iheanaçon dhe i sapofuturi në fushë vetëm 5 minuta më herët, ruan gjakftohtësinë, duke mposhtur dy mbrojtës dhe portierin mik dhe përshëndet rrjetën.
Çerekora e fundit e lojës dhe minutat shtesë do të jenë të luftuara, por, përtej drithërimave deri në sekondat e fundit, gjithçka do të mbyllet në barazim 1-1 dhe Leister Siti dhe Aston Vila duket se do ta vendosin gjithçka në ndeshjen e kthimit, që luhet në fund të janarit.