AlbanianSport.com 23/05/2020 20:55
ASNN – “25 milion Euro? Kumbulla vlen më shumë, është një mbrojtës i shkëlqyer”. Duken si fjalët e një eksperti ekonomie, që është pyetur për një nga futbollistët më interesantë të futbollit në Gadishullin e Apeninenve, por në fakt janë më shumë se aq dhe tregojnë për një ndryshim kursi në tërë këtë histori. Interesimi për Marash Kumbullën vazhdon të jetë shumë i madh dhe mbrojtësi shqiptar është gati të hedhë hapin e madh në karrierë.
20-vjeçari i ka shtangur të gjithë me paraqitjet që ka bërë me Veronën këtë sezon në Serinë A. Dhe klubi italian dukshëm kërkon të përfitojë sa më shumë nga shitja e tij e është pikërisht një nga krerët e tij, Toni D’Amiko, ai që thur elozhe për djaloshin nga Malësia e Madhe në deklaratën e bërë për “Sky Sport Italia”. “Vlera e Kumbullës është më e madhe se 25 milion euro, – thotë ai. – Po flasim për një mbrojtës të shkëlqyer, i cili po zhvillon një sezon të jashtëzakonshëm, sidomos duke llogaritur moshën që ka.”
“Ai do të ketë shumë oferta, por është akoma herët për shifra dhe është një nder për ne që kemi nxjerrë një lojtar të tillë“, – shtoi më tej Drejtori Sportiv i klubit veronez. Në fakt, deri më tani janë plot 11 klube të ndryshme që janë interesuar për djaloshin e talentuar që shihet si e ardhmja e Kombëtares kuqezi. Këto klube, që flasin për një gjeografi dhe potencial të madh janë Napoli, Interi, Çellsi, Fiorentina, Mançester Junajtid, Lajpcigu, Paris SG-ja, Evertoni, Lacio, Totenhami dhe Eintrahti i Frankfurtit.