AlbanianSport.com 19/02/2024 17:25
ASNN – Paraqitjet e legjionarëve, Muçolli realizon dy gola, shënojnë edhe Uzuni, Manaj, Daku e Kurtulan. Legjionarët kuqezi vijojnë të bëjnë paraqitje të mira në Evropë, teksa edhe këtë fundjavë disa prej tyre ishin protagonist me gola. Në kampionatin spanjoll, Myrto Uzuni u rikthye te goli teksa gjeti rrugën e rrjetës me Granadën në sfidën ndaj Almerias.
Granada ishte në disavantazh dhe goli i Uzunit në të 75-ën vendosi barazpeshën, duke i dhënë një pikë me tepër vlerë skuadrës së tij. Rei Manaj po kalon një moment fantastik, teksa realizoi sërish nga goditja e dënimit për Sivasporin, në fushë të huaj ndaj Hatajspor. Sfida përfundoi në barazim 1-1 dhe sulmuesi kuqezi e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 17-të, teksa ishte goli i 13-të për të në kampionatin turk.
Pasi realizoi nga pika e bardhë e 11-metërshit javën e kaluar, Arbnor Muçolli shënoi dy gola të tjerë në sfidën e kupës të Goteborg ndaj Junajtid Nordik. Muçolli zhvilloi një ndeshje shumë të mirë dhe dha një kontribut të madh në fitoren 4-3 të skuadrës së tij. Edhe Mirlind Daku shënoi gol për Rubinin e Kazanit në miqësore ndaj Ganguonit.
Rubini i Kazanit fitoi 2-0 dhe sulmuesi kuqezi realizoi golin e dytë në këtë sfidë. Sulmuesi i shpresave, Arda Kurtulan gjeti sërish rrugën e rrjetës në sfidën Dijarbakërspor-Erokspor. Skuadra ku aktivizohet Kurtulan fitoi 3-2 dhe sulmuesi kuqezi realizoi golin e dytë për Dijarbakërsporin në këtë takim. Ndërkaq, në sfidën që u zhvillua në mesjavë, Anis Mehmeti dha kontributin e tij për Bristol Sitin.
Ai dha një pasim për gol në fitoren ndaj Sauthemptonit, me rezultatin 3-1. Mehmeti shërbeu saktë për shokun e skuadrës Samuel Bell, që i dha epërsinë skuadrës së Bristol Sitit. Titullarë me skuadrat e tyre u aktivizuan edhe Elhan Kastrati, Ivan Balliu, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Ylber Ramadani, Keidi Bare, Klaus Gjasula, Nedim Bajrami, Taulant Seferi, Arbnor Muja, ndërkohë dha kontributin e tij si zëvendësues Kristjan Asllani.