Adriatik Balla 20.08.2015 13:55
Mesfushori i përfaqësueses, Armando Vajushi, ka ndërmarrë dje një hap të guximshëm në karrierën e tij, duke zbritur nga Seria A në Serinë B italiane. Shkodrani ishte i zhgënjyer me klubin e Kievos, pasi përgjatë sezonit të kaluar nuk u aktivizua në asnjë takim dhe kjo e dëshpëroi shumë. Duke parë gjendjen e tij, edhe vetë klubi i Kievos vendosi ta huazojë atë në një skuadër të Serisë B dhe bëhet fjalë për Livornon, një emër i spikatur i futbollit italian.
Kjo lëvizje bëhet për t’i ardhur në ndihmë Vajushit që të rikthehet në fushë dhe të aktivizohet si titullar, për të pasur dhe një herë tjetër premisa rritjeje në futbollin italian dhe që të pretendojë formacionin e Kombëtares në muajt e ardhshëm. Duke parë hapësirat e pakta në skuadër, klubi veronez i Kievos vendosi ta huazojë 23-vjeçarin shqiptar, Armando Vajushi, te skuadra toskane. Në Serinë B sulmuesi shkodran do të ketë shansin të luajë, të fitojë përvojë dhe të vazhdojë rritjen si lojtar.
Sipas mediave lokale, marrëveshja cilësohet praktikisht e mbyllur. Klubet arritën akordin dhe sulmuesi ka dhënë pëlqimin për këtë transferim. Armando Vajushi u transferua te Kievo në janar të vitit 2015, por nuk ka luajtur asnjë ndeshje. Italianët e afruan nga bullgarët e Liteksi i Loveçit, skuadër me të cilën Vajushi regjistronte 22 gola në 86 ndeshje, si edhe 23 pasime për gol. Zyrtarizimi i marrëveshjes për huazimin e sulmuesit tek Livorno ka përfunduar.
Lojtari që numëron 6 ndeshje dhe një gol me Kombëtaren shqiptare është paraqitur në zyrat e klubit, për të kaluar testet mjekësore, ndërsa është bërë më pas edhe prezantimi i tij. Për trajnerin Xhovani De Biazi, një lëvizje e tillë nuk është e keqe, për sa kohë Vajushi kishte humbur në stol tek skuadra tjetër e Kievos. Parë në këtë kuadër, edhe trajneri i skuadrës përfaqësuese e ka mirëpritur një lëvizje të tillë, i bindur se Vajushi do të mund të rivalizojë si duhet për një vend titullari tek Livorno.
Megjithatë, një ftesë në Kombëtare për ndeshjet e vjeshtës, pra nga ndeshjet e mbetura të Kombëtares në këto eliminatore duket larg dhe gati e pamundur, pasi De Biazi është duke vrojtuar me kujdes dhe me siguri do të zgjedhë ata elementë që janë aktivë dhe kanë forcën e duhur fizike. Me pak fjalë De Biazi është i prirur të ftojë në ndeshjet eliminatore ata lojtarë që luajnë rregullisht me skuadrat e tyre dhe jo lojtarë që rrinë në stol. Pra për Vajushin ka disavantazhe, por mosha e tij e re është premtuese për cilësi dhe për aktivizim në radhët e skuadrës kombëtare.