Adriatik Balla 20.06.2015 12:15
Lojtarët e përfaqësueses mbyllën një sezon fantastik, me skuadrat e tyre në Evropë, duke spikatur për shpirtin lartë të garës, cilësitë teknike dhe padyshim forcën e liderit në këto ekipe. Kjo solli dhe një sukses të tyre me ekipin kombëtar, dëshmuar nga rezultatet e mira në Eliminatoret e Kampionatit të ardhshëm Evropian dhe natyrisht lojërat e mira të të gjithë futbollistëve në ndeshjet e Kombëtares.
Një nga lojtarët që ka spikatur kohët e fundit është Ergys Kaçe, i cili luan me PAOK-un në Greqi dhe, nga një sondazh i tifozëve, është vlerësuar si lojtari më i miri i skuadrës së tij nga Selaniku dhe njëherësh një nga mesfushorët më të mirë në kampionatin grek. Njeriu që me supergolin e tij në “Elbasan Arena” vetëm pak ditë më parë i dha fitoren historike Shqipërisë ndaj Francës, është përzgjedhur nga tifozët e PAOK-ut si lojtari më i mirë i sezonit futbollistik 2014-2015 për skuadrën nga Selaniku.
Në një sondazh të realizuar nga faqja zyrtare e klubit grek në internet ku kanë votuar një pjesë e mirë e tifozëve, Kaçe ka arritur të grumbullojë plot 26.28% të votave duke u shpallur “Lojtari Më i Vlefshëm” (MVP-ja) i sezonit te PAOK-u. Në këtë garë, futbollisti i Kombëtares kuqezi ka lënë pas emra të njohur, si sulmuesit Stefanos Athanasiadis e Dimtris Salpingidis, por edhe mesfushorët Fasundo Pereira dhe Aleksandros Tziolis.
Kaçe ka arritur të grumbullojë afërsisht dyfishin e votave, në krahasim me ndjekësin e tij më i afërt që është Athanasiadis me vetëm 13.21% të votave, e dhënë kjo që tregon qartë faktin se sa shumë e duan tifozët e Paok-ut talentin shqiptar. Mesfushori 21-vjeçar gjatë këtij sezoni zhvilloi 39 ndeshje me një total prej 3,461 minutash, ndërkohë që realizoi edhe 4 gola, shifra më lartë për të në karrierë.
Kaçe ndihmoi të tijtë edhe me dy pasime për gol, 245 pasime të sakta, 69 topa të rikuperuar dhe 59 faulle të fituar. Athanasiadisit nuk i mjaftoi fakti që ishte golashënuesi më i mirë i ekipit me 18 gola të realizuar gjithsej për të mposhtur në këtë garë djaloshin nga Korça. Ekzaktësisht 10 vjet më parë, Ergys Kaçe në atë kohë vetëm 11-vjeç iu bashkua akademisë së PAOK-ut, në kërkim të një të ardhmeje të ndritur.
Pas debutimit të tij në sezonin 2010-2011, talenti shqiptar u huazua te skuadra e kategorisë së dytë, Anagenisi Epanomi, ku spikati shumë me lojën e tij. Pas vetëm 1 sezoni Kaçe u rikthye sërish te PAOK-u i Selanikut ku në këto tre vite ka patur një rritje të jashtëzakonshme dhe me meritë ai tashmë bën të tijin edhe çmimin e futbollistit më të mirë të sezonit.