AlbanianSport.com 13/03/2019 17:25
ASNN – E përditshmja e madhe sportive italiane “Gazzeta dello Sport”, i kushton një artikull gardianit kuqezi. Thomas Strakosha po kalon një nga momentet më të mira të karrierës së tij futbollistike. Portieri i përfaqësueses kuqezi ka qenë që nga fillimi i sezonit titullar i padiskutuar tek Lacio dhe është shndërruar në pikë referimi në prapavijë, pasi jep garanci në çdo moment dhe ndihmon ekipin të arrijë nivele të larta.
Për shkak të minutazhit të tij shumë të lartë si titullar, por edhe rëndësisë që ka “gardiani” shqiptar në ekipin lacial, gazeta e madhe sportive italiane “Gazzeta dello Sport”, i ka kushtuar një artikull të rëndësishëm dhe e ka përshkruar ecurinë e tij me ngjyra të ndezura suksesi. Edhe pse periudhën e tij tek Salernitana gazeta në fjalë e konsideron gri, për Strakoshën ajo përmend vetëm sukses tek Lacio, duke qenë burim frymëzimi edhe për të rinjtë e tjerë që duan një vend titullari.
Gazeta në fjalë thotë se Strakosha është një garanci për ekipin e trajnerit Simone Inzagi dhe ka punuar mjaftueshëm mirë për ta fituar vendin e titullarit, ndërkohë që po jep kontribut për skuadrën edhe kur është i dëmtuar. “Edhe pse pati një shqetësim nga ndeshja e fundit më Romën, ndërkohë që dhe portieri i dytë i skuadrës ishte gati, sërish Strakosha u rikthye, duke mos humbur asnjë minutë nga ky sezon, njëjtë si vitin e kaluar”, – shkruan “Gazzetta dello Sport” për portierin e kombëtares së Shqipërisë.
“Një garanci e besueshmërisë dhe vazhdimësisë, – vijon më tej përshkrimin e saj gazeta në fjalë, – pikë fikse e formacionit të Inzagit, që pasi e ka njohur në ekipin e të rinjve, nuk hezitoi t’i besonte dhe në Serinë A. Para dy viteve, mori vendin e titullarit, pavarësisht se në ekip ishte Marketi. Strakosha, djali i Fotos, i cili gjithashtu ishte portier, dhe tani përgatitës portierësh te Olimpiakos, ishte një surprizë e bukur, kur zbriti titullar në ndeshjen ndaj Milanit.”
“Ishte pikërisht Inzagi, që i dha besim pas një periudhe “gri” te Salernitana. Si përfundim, Strakosha është lider tek Lacio, falë punës dhe talentit të tij”, – përfundon “Gazzetta dello Sport” për portierin e kombëtares së Shqipërisë. Natyrisht, mbetet ende në pikëpyetje zgjedhja e trajnerit Kristian Panuçi për portën e Kombëtares kuqezi për sfidat e para eliminatore me Turqinë dhe Andorrën, aty ku Strakosha duket më i favorizuar sa i përket formës dhe paraqitjeve sesa Etrit Berisha.