AlbanianSport.com 09/01/2018 09:40
ASNN – Lacio mundi të enjten Olimpikun e Marsejës me rezultatin 2-1, në një ndeshje që ishte vendimtare për fatet e kualifikimit. Dhe italianët ia dolën të marrin tri pikë që e ngjisin në kuotën e 9 pikëve dhe të kualifikohen edhe matematikisht për në turin tjetër të Ligës së Evropës. Ishin golat e Marko Parolos në minutën e 45-të dhe Korreas në minutën e 55-të që i dhanë Lacios triumfin.
Ndërsa Marseja, me një gol të Thovënit në minutën e 83-të realizoi vetëm një rrjetë nderi e asgjë më shumë, pasi mbeti në kuotën e një pikëve, po aq sa Apolon Limasol i Qipros. Vendin e parë në grupin H e ka Eintrahti i Frankfurtit me 4 fitore në po aq takime. Mbeten dhe dy ndeshje në këtë grup, por cilatdo qofshin rezultatet nuk rrezikohet kualifikimi.
Në suksesin e Lacios spikati në veçanti portieri shqiptar, Thomas Strakosha, që bëri një duel të madh, duke qenë një pengesë e pakalueshme për Marsejën. Ishte në formë të jashtëzakonshme dhe shtypi italian e çmoi me notë të lartë, duke qenë një garanci për Lacion në fushën e lojës. Duhet thënë se në fundjavën e shkuar Strakosha mori jo pak kritika për paraqitjen e dobët kundër Interit.
Një disfatë 0-3 që bëri edhe trajnerin Simone Inzagi ta “fshikullonte” keqas. Por ajo ishte thjesht një ndeshje ku e gjithë Lacio çaloi, kurse në duelet e tjera Strakosha ëstë vendimtar me pritjet e tij. Nëse Lacio e kaloi grupin ishte padyshim edhe për meritë të gardianit shqiptar.