AlbanianSport.com 08.01.2017 16:10
ASNN – Sulmuesi i Kombëtares, Armando Sadiku, është bashkuar me Luganon në Kornaredo, aty ku kjo skuadër po zhvillon fazë përgatitore dimërore. Futbollisti shqiptar është kthyer te kjo skuadër pas 3 vitesh dhe pranoi, në një intervistë për televizionin zviceran, se kjo ishte një zgjedhje e duhur, e bërë në momentin e përshtatshëm edhe për të.
“Mendoj se ishte momenti më i mirë edhe për mua, – ka thënë Sadiku, duke folur tashmë si futbollist i Luganos. – Presidienti i klubit më kërkoi disa muaj më parë, para se të vinte Paolo”. Sadiku u shpreh i kënaqur që do të ketë trajner Paolo Tramexanin dhe do të punojë me të tek Lugano.
Ai e vlerësoi ish-ndihmësin e Xhovani De Biazit tek Kombëtarja si të duhurin për këtë ekip. Sulmuesi shqiptar, i ardhur si huazim nga FC Zyrihu, foli edhe për pritshmëritë. “Vij nga një dëmtim që më la për disa kohë larg fushave, – sqaroi Sadiku. – Unë dua të stërvitem dhe të gëzoj të gjithë këtu në Lugano.”
“Mund të bëjmë shumë mirë dhe mbijetesa do të arrihet si objektiv”, – shtoi ai. Armando Sadiku zhvilloi stërvitje i veçuar për të parë gjendjen e tij fizike. Ndeshja e parë zyrtare e Luganos do të jetë më 4 shkurt 2017 në fushën e Bazelit.