AlbanianSport.com 16/06/2020 23:55
ASNN – Ka marrë një pikë në një fushë të vështirë, një pikë që praktikisht thuajse i ka dhuruar Hajdukut të Split titullin, por që i bën shumë punë për vete në betejën për një vend në fazën e grupeve të Ligës së Evropës sezonin e ardhshëm. Lokomotiva Zagreb ka barazuar në fushë të huaj me Rijekë dhe protagonistë kanë qenë lojtarët shqiptarë të skuadrës kroate.
Takimi përfundoi në barazim 2-2 dhe golin e parë e shënoi sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës, Lirim Kastrati. Meritë në shënimin e golit kishte edhe Enis Çokaj, i cili vertikalizoi mjaft bukur dhe më pas anësori i sulmit të kryeqytetasve u shkëput dhe mposhti portierin kundërshtar. Rijeka reagoi dhe ia doli ta përmbyste rezultatin, çka nuk i shkonte për shtat Lokomotivës.
Tuci u hodh në fushë për të përforcuar sulmin, ndërkohë që Mersinaj e Uzuni kishin qenë titullarë si zakonisht. Madje ishte beratasi u bë protagonist dy minuta nga fundi i ndeshjes, teksa fitoi 11-metërshin që u kthye në gol nga Karaçiçi. Në fakt, u desh ndërhyrja e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR) që gjyqtari të vendoste për 11-metërshin dhe më pas Lokomotiva të shënonte golin e barazimit, që i dha asaj një pikë të rëndësishme në një vizitp të vështirë si ajo në Rijekë.