AlbanianSport.com 29.10.2015 12:15
ASNN – Shkëlzen Gashi rikthehet në fushë dhe shënon gola. Sulmuesi shqiptar realizoi 3 herë në ndeshjen e Kupës së Zvicrës në fushën e Mutenzit, ekip ky i kategorisë së tretë. Bazeli fitoi 5-1 sfidën e turit të 1/8 me këtë skuadër modeste, por kjo edhe falë Gashit, i cili në takimin e fundit të kampionatit ishte lënë në tribunë nga trajneri Urs Fisher.
Shkëlzen Gashi shënoi në çdo mënyrë, por duke dhënë edhe pasimin e golit të parë. Në fushë nga minuta e parë ishte edhe mbrojtësi Naser Aliji dhe sulmuesi Albian Ajeti, i cili realizoi golin e fundit. Në stol për këtë takim qëndroi Taulant Xhaka duke parë edhe cilësitë e kundërshtarit.
Kështu, Shkëlzen Gashi është përgjigjur me tre gola dhe trajneri i Bazelit duhet të ndryshojë mendje për sulmuesin, i cili përgjigjen ia dha në fushën e lojës. Shkëlzen Gashi kthehet me tre gola, duke konfirmuar se nuk mund të jetë një lojtar rezervë dhe aq më keq të lihet në tribunë.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare ishte udhëheqësi i Bazelit në fitoren 5-1 kundër Mutenzit në turin e 16-shes së Kupës së Zvicrës. Pas epërsisë së kampionëve zvicerianë të shënuar nga Haegl në minutën 25-të, Gashi gjeti me vazhdimësi rrugën e rrjetës. Në fillim dyfishoi shifrat në fundin e pjesës së parë.
Me rikthimin në fushë, sulmuesi do të shënonte edhe dy herë të tjera emrin e tij në listën e golashënuesëve. Pasi Jani rihapi sfidën për vendasit nga pika e 11-metërshut, Gashi ktheu sërish qetësinë te Bazeli. Vetëm dhjetë minuta më pas, futbollisti i përfaqësueses shqiptare sfumoi përfundimisht shpresat e të zotëve të shtëpisë me golin e tretë personal dhe të katërtin për Bazelin.
Kjo ishte përgjigja më e mirë e sulmuesit për trajnerin e tij Urs Fisher, që duke e parë në fushë tashmë duhet të ketë ndërruar mëndje. Por nuk ishte vetëm mbrëmja e Shkëlzen Gashit. Ai që vulosi triumfin e Bazelit ishte sulmuesi tjetër me origjinë shqiptare, Albian Ajeti. I konsideruar si një talent dhe i ndjekur nga De Biazi, futbollisti i ri pritët të ndjekë në të ardhmen rrugën e vëllait të tij Arlindit për të veshur ngjyrat e kombëtares kuqezi.