Adriatik Balla 16.05.2015 17:40
Lojtarët e Kombëtares tonë po bëjnë paraqitje të mirë me skuadrat e tyre përkatëse në kampionatet evropiane, duke qenë në lartësinë e kërkuar dhe madje një pjesë e tyre janë ndër lojtarët më të kërkuar në tregun futbollistik kontinental.
Vëmendja këto ditët e fundit ka qenë në kampionatin zviceran, atje ku, në radhët e Bazelit që pritet të shpallet “kampion”, luajnë dy lojtarë të përfaqësueses, konkretisht mesfushori Taulant Xhaka dhe sulmuesi Shkëlzen Gashi.
Ky i fundit kryeson listën e golashënuesve në kampionatin helvet dhe është padyshim pretendenti kryesor për të fituar “Këpucën e Artë” këtë sezon, i shkëputur me 4 gola nga ndjekësi më i afërt.
Gashi është mbajtës në fuqi i këtij çmimi, pasi edhe edicionin e kaluar ai ishte “Këpuca e Artë” e kampionatit zviceran, duke shënuar shumë gola për ekipin e tij të mëparshëm, Gras’hopers.
26-vjeçari është në kuotën e 21 golave në kampionat, ndërsa Gijom Horo ka 4 gola më pak kur kanë mbetur edhe 4 ndeshje për tu luajtur. Gjithçka mund të pritet në këto javë të mbetura, por Gashi thotë se i ka të qarta objektivat e tij sezonalë.
Ai këmbëngul se titulli do ta ndihmonte shumë atë të piqej si futbollist dhe të rriste kreditit e tij në merkato, për ta shfrytëzuar kështu Bazelin si një trampolinë për në një ekip më të madh evopian. Dhe Gashi ka potencial për të luajtur në një ekip më cilësor.