AlbanianSport.com 29/10/2018 23:55
ASNN – Shabani ua thotë troc zyrtarëve të FSHF-së: Po pres të më telefonojë Joakim Lëv, nëse s’më merr Gjermania… Lojtarët e rinj të talentuar me origjinë shqiptare nga Kosova apo trojet shqiptare në ish-Jugosllavi, kanë prej vitesh që spikasin në kampionate të ndryshme evropiane, sidomos në Zvicër dhe Gjermani. Ata më të mirët janë bërë pjesë e përfaqësueseve të këtyre vendeve, të tillë si Shaqiri, Behrami, Xhaka, Mehmedi, Xhemaili Ajeti, Tarashi, etj.
Tek Gjermania është ingranuar Shkodran Mustafi e në përfaqësuese të vendeve të tjera si në Norvegji, Suedi e Finlandë ka plot lojtarë të tjerë. Shqipëria ka mundur të përfitojë nga ky kontigjent lojtarësh dhe shumë prej futbollistëve me origjinë shqiptare nga Kosova kanë zgjedhur të vishen kuqezi dhe kjo ka nisur herët, prej Besnik Hasit dhe Lorik Canës, më pas Curri, Dallku, Mavraj, Basha, Berisha, Ajeti, Gjimshiti etj, e deri tek të rinjtë e talentuar si Grezda, etj.
Së fundmi, një emër që lakohet fort në Shqipëri e Kosovë si potencialisht i mundshëm është Meritan Shabani i Bajernit të Mynihut. Futbollisti është në fokusin e tri federatave, Gjermanisë, Kosovës dhe Shqipërisë. Nuk mohohet që FSHF-ja i ka bërë ftesë dhe i kërkon një përgjigje, ndërsa Federata e Kosovës gjithashtu e do në skuadrën e saj. Por Shabani, me një rritje spektakolare në paraqitje gjatë muajve të fundit, ka dëshirën të luajë për 4-herë kampionët e botës.
Mësohet se këtë gjë ua ka shprehur dhe zyrtarëve të FSHF-së, duke thënë se nuk e përjashton mundësinë të veshë fanellën kuqezi të Shqipërisë, madje mund të luajë dhe për Kosovën. Por ai ua ka bërë të qartë se fillimisht do të presë një ftesë nga Gjermania, nisur nga fakti se është skuadër e madhe dhe i bën më shumë punë karrierës së tij. Zgjedhja e lojtarit është e drejtë e tij, kështu që Shqipëria dhe Kosova duhet të presin.
Me shpresën se Gjermania nuk do ta grumbullojë dhe Meritan Shabani të bëhet pjesë e njërës prej përfaqësueseve shqiptare. Për sa kohë lojtari është në pritje të marrjes së vendimit, si FSHF, ashtu dhe federata simotër në Kosovës, po monitorojnë me durim situatën.