Adriatik Balla 19.05.2015 09:35
Sulmuesi kuqezi ndodhet në Austri duke negociuar me klubet ku ka luajtur më parë. Legjionarët tanë kanë nisur të mendojnë seriozisht për merkaton e verës dhe ende pa nisur zyrtarisht funksionimi i tregut të lojtarëve, kuqezinjtë po nxitojnë të krijojnë kushtet e përshtatshme për vazhdimësinë e karrierës së tyre. Një ndër ta është futbollisti shkodran Hamdi Salihi, i cili është larguar nga Izraeli dhe gjendet në Austri për të kërkuar ekip të ri.
Ende nuk ka të dhëna konkrete se cilën skuadër do të zgjedhë, por sulmuesi kuqezi ka luajtur dhe më parë në kampionatin austriak dhe Rapidi i Vjenës, apo Riedi mund të jenë destinacioni i ri i tij për sezonin e ardhshëm. E ardhmja e Hamdi Salihit te Hapoeli i Haifas, është në dyshim. Edhe pse sulmuesi kuqezi me golat e tij bëri që kjo skuadër të siguronte qëndrimin në elitën e futbollit izraelit, në planet drejtuesve për sezonin e ardhshëm nuk përfshihet qëndrimi i 31-vjeçarit.
Të paktën kështu shkruajnë mediat izraelite, sipas të cilave, Hapoeli i Haifas do të bëjë revolucion në skuadër, duke larguar thuajse të gjithë lojtarët e rëndësishëm, ndër të cilët është edhe Salihi. Aktualisht shkodrani ndodhet në Austri për arsye personale, nga ku ka zbuluar se nuk ka patur asnjë bisedë apo kontakt me presidentin e klubit për rinovimin e kontratës, e cila i skadoi me mbylljen e sezonit. Për momentin ka vetëm aludime, pasi vendimin për të ardhmen Salihi do ta marrë pas disa javësh.
Burime të ndryshme mediatike nga Izraeli thonë se presidenti i Hapoelit të Haifas, Joav Katz, dhe Salihi do të ulen në bisedime ditët në vazhdim, duke lënë të hapur mundësinë e zgjatjes së bashkëpunimit, por kjo vështirë se mund të ndodhë. Fakti që Salihi ndodhet në Austri me pushime mund të ketë lidhje me ndonjë ofertë nga kampionati austriak, ku Salihi ka dhënë kontribut për Riedin dhe Rapidin e Vjenës.