AlbanianSport.com 30/03/2019 20:25
ASNN – “Danke Hamdi”, banderola që i thotë të gjitha për “Mister Golin shqiptar”, Hamdi Salihi. Të shtunën, në ndeshjen që Vjener Nojshtad humbi 1-2 ndaj Vaker Insbrykut në ligën e dytë të Austrisë, luajti si titullar dhe kapiten, sulmuesi shkodran Hamdi Salihi. Ai luante në këtë sfidë ndeshjen e fundit të karrierës së tij si futbollist, një tërheqje që ai vetë e kishte lajmëruar pak ditë më parë nëpërmjet një mesazhi emocionues në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”.
Salihi luajti 52 minuta në fushë në një ndeshje të nivelit mesatar e në prani të afro 1 mijë tifozëve. Shkodrani u prit në fushë me duartrokitje dhe u zëvendësua e u largua prej saj në minutën e 52-të mes duartrokitjesh. Në fushë zbriti së bashku me dy fëmijët e tij, ndërsa doli prej saj i përlotur, me një karrierë speciale 17-vjeçare, ku ka shkruar histori suksesi si me ekipet ku ka luajtur, ashtu dhe me përfaqësuesen kuqezi. Lojtar pa fjalë, pa teka, punëtor dhe i thjeshtë, pozicional në repartin sulmues e “nuhatës” goli i klasit të parë.
Jo rastësisht tifozët vendas të Vjener Nojshtad kishin shpalosur një banderolë ku shkruhej “Danke Hamdi”, që do të thotë “Faleminderit Hamdi”, një mirënjohje për atë që sulmuesi shqiptar dha për skuadrën e tyre gjatë këtyre dy viteve dhe njëherësh i projektuar në stafin teknik të skuadrës, ku “goleadori” kuqezi ka që tani një pozicion ndihmëstrajneri. Në karrierën e tij të gjatë prej gati dy dekadash, Hamdi Salihi ka luajtur mbi 500 ndeshje në elitë dhe ka shënuar në kampionatet elitare mbi 260 gola.
Por në karrierën e tij, në total, ai ka realizuar sikurse e pranon edhe vetë në një rrëfim për mediat, plot 322 gola. Rrallë një futbollist shqiptar ka shënuar kaq shumë gola në kampionate elitare dhe me shumë skuadra. Kudo ku ka luajtur, Hamdi Salihi ka shënuar dhe ai e meriton një vend në panteonin e futbollistëve të mëdhenj shqiptarë.