AlbanianSport.com 15.02.2016 12:30
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat helvete, formacioni i javës së 20-të në nivelin më të lartë të kampionatit të futbollit të këtij vendi, në Superligën e Zvicrës, ka edhe shqiptarë. Pas javës së kaluar, ku mospërfshirja e Armando Sadikut hapi polemika sulmuesi i Kombëtares është bërë pjesë e 11-shes së fundit nga gazeta “Blick”.
Edhe pse nuk shënoi në barazimin 1-1, që Vaduzi arriti me një rival të fortë si Jang Bojs të Bernës, Sadiku rrezikoi portën me goditjet dhe aksionet e krijuara. Në këtë ekip ideal bën pjesë edhe Taulant Xhaka, i cili ishte titullar në fitoren 4-0 të Bazelit ndaj Gras’hopersit.
Skuadra e Xhakës është në garë për të qenë përsëri “kampione” e Zvicrës dhe mesfushori i Kombëtares ka meritë për të këtë sukses. Një tjetër lajm i mirë është rikthimi i Burim Kukelit, pas gati 4 muajsh mungesë për shkak të një dëmtimi. Ai u aktivizua prej minutës së 77-të, në fitoren 2-1 të FC Zyrihut në fushën e Lucernës.
Burim Kukeli ka vuajtur shumë nga dëmtimet gjatë karrierës së tij, por është një element më shumë për Kombëtaren.