AlbanianSport.com 13/12/2018 20:30
ASNN – Levante në Spanjë synon të realizojë objektivat e saj në treg dhe kur është në prag merkato e dimrit, drejtuesit e klubit po synojnë që të huazojnë sulmuesin shqiptar Armando Sadiku në një klub tjetër, për të mos e pasur barrë në stol dhe për t’i dhënë një mundësi që të luajë. Mediat spanjolle shkruajnë se Levante e ka të kompletuar sulmin.
Kjo pasi edhe shqiptari tjetër Enis Bardhi ka bërë paraqitje të mira dhe ia ka dalë të sigurojë një profil të lartë dhe të vlerësuar nga klubi. Por Sadiku vjen nga një dëmtim i gjatë dhe do të dojë shumë kohë që të kthehet në kapacitetin e tij maksimal. Kështu që huazimi në një klub tjetër është plotësisht i realizueshëm. Vetë lojtari ka nisur stërvitjen, madje ditët e fundit ka nisur edhe kontaktin me topin.
Duke bërë pasime, goditje në portë, lëvizje dribluese etj, që do të thotë se ka hyrë në fazën e një stërvitje intensive, por akoma jo me grupin dhe në ndeshje kontrolli, pasi askush nuk ia ka besën meniskut të operuar. E ndërsa Sadiku ka nisur kontaktet me topin, klubi i Levantes ka nisur kontaktet me Luganon, ish-skuadrës e Armando Sadikut, e cila ka shprehur interesimin për ta kthyer në Zvicër sulmuesin e Shqipërisë.
Madje tek Lugano Sadiku ka shkëlqyer si në asnjë vend tjetër, pasi në afro 70 ndeshje ka realizuar 35 gola, një mesatare shumë e mirë për liga të tilla profesioniste. Drejtuesit e Luganos kanë shfaqur gatishmëri për ta marrë Sadikun, por edhe vetë mediat spanjolle thonë se një huazim i tillë është i vështirë të realizohet pa pëlqimin e lojtarit dhe pa një marrëveshje financiare paraprake.
Gjithçka mbetet të shihet si do të përfundojë kjo histori në muajin janar.