AlbanianSport.com 14/01/2019 23:00
ASNN – Sulmuesi i Kombëtares kuqezi, Armando Sadiku, pritet të nënshkruajë kontratë me ish-klubin e tij zviceran, Lugano, një marrëveshje që mund të vijë brenda pak orësh. E drejta e blerjes përfundimtare të kartonit do të jetë në fund të sezonit, por diskutimet për këtë kanë nisur në Spanjë, pikërisht tek klubi i Levantes që ka ende në pronësi kartonin e futbollistit të përfaqësueses së Shqipërisë.
Në fillim Sadikut iu kërkua që të kalonte testet fizike dhe për këtë dha garanci vetë klubi i Levantes i cili e ka ndjekur hap pas hapi rikuperimin e lojtarit. Menjëherë sapo sulmuesi kuqezi kaloi testet, presidenti i Luganos nisi bisedimet konkrete për të kthyer në gjirin e klubit të tij, Armando Sadikun, madje duke lënë të hapur mundësinë e blerjes përfundimtare të kartonit të tij.
Për të sjellë “goleadorin” shqiptar tek Lugano, presidenti i klubit zviceran ka bërë dhe një lëvizje taktike, duke ndërprerë kontratën me sulmuesin austriak Janko, i cili do të “pensionohet” pas këtij rasti. Është pikërisht kjo lëvizje që e bën të domosdoshme afrimin e Sadikut. Mbetet të shihet se si do të shkojnë bisedimet, por fakti se Sadiku kaloi testet fizike tregon se klubi zviceran e ka seriozisht transferimin dhe mbetet vetëm që sulmuesi kuqezi të prezantohet tek Lugano.