AlbanianSport.com 06/01/2018 09:10
ASNN – Ai kaloi pa shumë bujë në verë në radhët e kampionatit elitar të futbollit të Azerbahjxhanit, si pjesë e skuadrës së Gabalës. Kujtojmë që në kampionatin azer luan dhe mbrojtësi i Kombëtares, Ansi Agolli, i cili është pjesë e skuadrës së Karabagut. Ndërkohë, ekipi i Lilajt, Gabala, ndodhet në mesin e tabelës së renditjes, por me rezultate në përmirësim.
Në ndeshjen e fundit në kampionatin azer, Gabalaja e Lilajt mposhti Sabah Bakunë me shifrat 2-1 dhe në këtë ndeshje njërin nga golat e realizoi ish-sulmuesi tjetër i Skënderbeut, Xhejms Adeni. Kurse vetë mesfushori Sabien Lilaj ishte nga më të mirët në fushë. Edhe tifozët e duartrokitën dhe klubi e vlerësoi lart. Mediat gjithashtu shkruan fjalë të mira për mesfushorin kuqezi.
Nga ana tjetër, Lilaj u zgjodh në 11-shen më të mirë të javës, për cilësitë e shfaqura në fushë, rolin e tij në fitoren e skuadrës dhe në shërbim të skuadrës, si dhe potencialin e madh teknik me të cilin bën diferencë. Me pak fjalë, Sabien Lilaj e meriton sërish ftesën e trajnerit të Kombëtares Kristian Panuçi për ndeshjet e nëntorit kundër Skocisë dhe Uellsit.
Mediat azere shkruajnë se në pozicionin e tij si shkatërrues në mesfushë, por edhe si organizator, është i shkëlqyer dhe Gabala ka përfituar mjaft prej tij në ndeshjet e fundit. Është lojtar punëtor dhe që jep maksimumin në fushë për skuadrën e tij.