AlbanianSport.com 19/01/2021 17:40
ASNN – Ishte një nga largimet që ranë në sy tek skuadra e Teutës gjatë kësaj merkatoje të janarit, por nuk ka vonuar të gjejë një skuadër të re. Dhe të martën, Rubin Hebaj është zyrtarisht lojtar i Shkëndijës së Tetovës në kampionatin e Maqedonisë së Veriut. Pas largimit nga klubi bregdetar, sulmuesi shkodran u kontaktua nga kuqezinjtë dhe prej ditës së hënë ishte në Tetovë. Parimisht palët e kishin gjetur akordin, ndërkohë që të martë, futbollisti vizitat mjekësore dhe nënshkroi me klubi shqiptar.
“KF Shkëndija me kënaqësi komunikon marrëveshjen me Rubin Hebajn, – shkruhet në njoftimin e klubit kuqezi, që drejtohet nga trajneri shqiptar, Ernest Gjoka. – Palët kanë gjetur akordin dhe është firmosur kontratë për 2.5 vite. Hebaj është përforcimi i parë i Shkëndijës në merkaton e janarit dhe të gjithë në klub i dëshirojmë mirëseardhje dhe suksese me fanellën kuqezi.” I lindur më 30 korrik të vitit 1998 në Shkodër, sulmuesi kontratën e parë profesionale e firmosi në vitin 2015 me skuadrën e qytetit të tij, Vllazninë, për të kaluar dy vite më vonë, në 2017-ën në Slloveni, tek NK Domzhale.
Në sezonin 2018-2019 sllovenët e huazuan te Partizani në Tiranë, ku, me 4 gola ndihmoi skuadrën e kuqe të kryeqytetit të fitonte titullin e “kampiones” në Shqipëri, ndërsa menjëherë pas kësaj pasoi kalimi nga Domzhale te Vorskla Poltava në Premier Ligën e Ukrainës. Në janar të vitit të kaluar, Teuta e Durrësit e ktheu në Shqipëri ku fitoi Kupën dhe Super Kupën, ndërsa vjen në Tetovë si përforcim për sulmin kuqezi. Shkodrani ka luajtur rregullisht me kombëtaret e moshave, Nën-17, Nën-19 dhe Nën-21-vjeçarët e Shqipërisë.