AlbanianSport.com 01/01/2018 19:05
ASNN – Pas muajsh të tërë në hije, më në fund është shfaqur Sokol Cikalleshi. Sulmuesi i Kombëtares kuqezi, i cili këtë verë u bë pjesë e skuadrës turke të Gëztepesë, arriti të gjejë rrugën e rrjetës pas një “thatësire” të zgjatur. Pra Cikalleshi e bëri “sefte” me këtë skuadër, duke gjetur golin e dëshiruar,
Goli i kavajasit erdhi në ndeshjen që Gëztepeje zhvilloi në Kupën e Turqisë ndaj skuadrës së Xhengelkiosporit, ku skuadra e shqiptarit fitoi me rezultatin e thellë 4-0. Cikalleshi kishte disa muaj që kishte “humbur”, kështu që ky gol vjen në momentin e duhur, si një çlirim nga ngërçi dhe pasiguria.
Natyrisht, goli mund të jetë një sinjal i mirë për trajnerin Kristian Panuçi, që ta vlerësojë mundësinë e ftesës për sulmuesin kuqezi në prag të ndeshjeve me Skocinë (duel që luhet në Shkodër më 17 nëntor 2018 në kuadër të LIgës së Kombeve), si dhe ndaj Uellsit (miqësore, takim që luhet në Elbasan më 20 nëntor 2018).
Në kushtet kur sulmi i Kombëtares ka qenë në krizë në erën “Panuçi”, goli i sotëm i Cikalleshit mund të jetë një ogur i mirë, megjithëse këtë javë gola shënuan në kampionate të ndryshme të vendeve të Evropës edhe Elis Bakaj, Liridon Latifi dhe Azdren Llullaku.