AlbanianSport.com 10/11/2018 19:35
ASNN – Revista e famshme franceze “France Football”, e cilaështë dhe organizatorja e trofeut individual për lojtarin më të mirë në botë, “Topi i Artë”, i ka kushtuar pak rreshta magjisë së Thomas Strakoshës në ndeshjen që Lacio fitoi në Ligën e Europës 2-1 ndaj Olimpikut të Marsejës. Në të dy ndeshjet me francezët, Lacio fitoi dhe kjo falë pritjeve të mrekullueshme të gardianit të Kombëtares kuqezi.
Është revista prestigjioze franceze që e ngre në ‘qiell” Strakoshën, sidomos për pritjet e tij në momentet vendimtare të ndeshjes. “Lacio mori tre pikë përballë Olimpikut të Marsejës, – shkruan për këtë rast “France Football”, – duke fituar 2-1 në “Olimpiko” të Romës pas suksesit të parë 3-1 në “Velodrom” të Marsejës. Thomas Strakosha kontribuoi shumë me realizimin e dy mrekullive: e para në në minutën e 6-të kur devijoi një gjuajtje të Sakai para portës dhe e dyta në minutën e 91-të kur tregoi veten pas një gjuajtje të Njie të devijuar nga Marusiç.”
Jo vetëm kaq, por prestigjiozja franceze e ka përfshirë Strakoshën tonë në formacionin ideal të javës në Ligën e Europës, një vlerësim që e lartëson më shumë gardianin e Kombëtares tonë. Pavarësisht ndonjë mangësie të vogël, në përgjithësi paraqitjet e Strakoshës me Lacion si në kampionatin italian, ashtu dhe në Ligën e Europës, kanë qenë fantastike dhe vlerësimi për të është bërë me notë maksimale.