AlbanianSport.com 23/12/2018 19:05
ASNN – Rei Manajt i mjaftojnë 10 minuta për t’i dhënë fitoren Albasetes, gol dhe festë e çmendur. Një prej lojtarëve të Kombëtares që shkëlqeu gjatë ditës së diel ishte padyshim Rei Manaj. Sulmuesi kuqezi i dha fitoren skuadrës së tij, Albasetes, e cila mundi 1-0 Rajo Majahondën. Ishte pikërisht sulmuesi kuqezi që realizoi golin e fitores në minutat e fundit dhe koha i dha të drejtë, përderisa rrjeta e tij i dha 3 pikë skuadrës që u ngjit në vendin e dytë në renditjen e ligës së dytë spanjolle.
Lushnjari Manaj hyri në fushën e lojës në minutën e 73-të të ndeshjes dhe në minutën e 83-të dërgoi topin në rrjetë me një gjuajte të jashtëzakonshme nga jashtë zonës e cila mposhti portierin kundërshtar. Menjëherë pas golit sulmuesi kuqezi festoi si i çmendur, duke hequr bluzën dhe duke ndezur atmosferën, ndërkohë që ky veprim i kushtoi marrjen e kartonit të verdhë. Në fund Albasete, falë golit të Manajt, fitoi 1-0 dhe siguroi 3 pikë që e ngjisin në vend të dytë.
Dhe tani ndodhet vetëm 1 pikë prapa Granadës kryesuese në Ligën 2 të Spanjës. Vendimtar për kreun do të jetë dueli direkt në janar midis Granadës dhe Albasetes. Për Rei Manajn ky ishte goli i 5-të në kampionatin spanjoll, deri tani i suksesshëm. Megjithatë, pavarësisht se shënoi golin e fitores, Manaj ka problem aktivizimi të rregullt, pasi shumicën e ndeshjeve i nis si zëvendësues. Por, goli i shënuar të dielën mund ta ndihmojë atë të ngjitet më shumë në karrierë dhe të shpresojë aktivizim të rregullt me Albaseten në ligën e dytë spanjolle.