AlbanianSport.com 14/08/2021 20:15
ASNN – Sulmuesi i Kombëtares shqiptare të futbollit, Rei Manaj do të luajë përgjatë gjithë sezonit me Barcelonën. Lajmi i bujshëm është zyrtarizuar nga vetë klubi katalan, i cili konfirmoi se 24-vjeçari është federuar për sezonin, bashkë me prurjet e reja, Depaj dhe Garsia.
Forma e shkëlqyer e treguar nga shqiptari gjatë sezonit veror në fazën para-përgatitore, ku sulmuesi shënoi 4 gola, ka bërë që drejtuesit e Barcelonës ta konsiderojnë Manajn si lojtar të vlefshëm. Por mediat në Spanjë kanë zbuluar se për federimin e Manajt, ka ndikuar ulja e rrogës që Zherar Pike ka pranuar të bëjë.
Me këtë gjest, mbrojtësi veteran ka krijuar mundësinë që sulmuesi kuq e zi, të përfshihet në skuadrën që do të luajë këtë sezon. Pas largimit të Mesit nga Barcelona, reparti i avancuar i katalanëve do të përbëhet nga Grizman, Depaj, Aguero dhe Rei Manaj. Federimi i 24-vjecarit me këtë klub, shënon edhe përfaqësimin më të lartë për një lojtar shqiptar, në arenën ndërkombëtare.