AlbanianSport.com 21/06/2020 21:40
ASNN – Ka vonuar pak, por ka ardhur më në fund debutimi i Realdo Filit në Superligën rumune me skuadrën e Botoshanit, ndonëse ky debutim nuk ka qenë pozitiv, pasi ekipi i tij është mundur 0-2 në fushën e vet përballë kryesueses së renditjes CFR Klujzhit. 24-vjeçari fierak pati nënshkruar një kontratë dyvjeçare me klubin rumun që në shtator të 2019-ës, por nuk mundi të aktivizohej në nivelin më të lartë të kampionatit rumun të futbollit. E në pritje të këtij transferimi, futbollisti i talentuar u aktivizuar për 14 ndeshje me Luftëtarin gjatë këtij sezoni, duke shënuar edhe 3 gola.
Dhe të shtunën, në javën e 5-të të fazës së “play-off”-it për titull të Superligës rumune të futbollit, trajneri i Botoshanit, Marian Kroitoru, vendosi ta hedhë në fushën e lojës futbollistin që ka luajtur gjithashtu për Apoloninë, Partizanin, Kamzën dhe Skënderbeun në kampionatin shqiptar. Fili u fut në lojë në minutën e 71-të të takimit, duke zëvendësuar sulmuesin nigeriano-gjermani Reagi Ofosu. Por as debutimi i tij dhe as aktivizimi për 90 minuta si titullar i Enriko Papës, njeriut që bëri të mundur kalimin e Filit tek kjo skuadër, nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e Botoshanit.
Në fakt, megjithëse e mbizotëroi lojën në të gjitha aspektet, skuadra e dy shqiptarëve vuajti pësimin e shpejtë të dy golave të hershëm, në minutën e 3-të dhe të 12-të, duke mos arritur të shënojë në portën e kryesueses së renditjes, që nga ana e saj, e ka thelluar në 6 pikë epërsinë e saj ndaj ndjekëses më të afërt, Universitateas së Krajovës, që sidoqoftë ka një ndeshje më pak. Në anën tjetër, kjo humbje e së shtunës, e dyta radhazi në këto 3 ndeshje të para të kësaj faze të fundit të Superligës rumune të futbollit, i lëkund shpresat e Botoshanit për një vend në Evropë sezonin e ardhshën.
Megjithatë, skuadra e Filit dhe Papës mund të marrë zemër nga fakti se vetëm 5 pikë i ndajnë nga njëra-tjetra skuadrat nga vendi i dytë në të 6-tin, që mbahet nga Botoshani, ndërsa vetëm dy pikë i ndajnë 4 skuadrat që synojnë për dy vendet e tjera që të çojnë në fazën eliminatore të Ligës së Evropës sezonin e ardhshëm. Realdo Fili u lind më 14 maj 1996 në qytetin e Fierit dhe u zbulua si talent në Akademinë e Apolonisë, me të cilën spikati, derisa në sezonin 2015-2016 u ble nga Partizani, duke u cilësuar si një transferim i bujshëm.
Por vazhdimi nuk ishte i tillë për të riun premtuar, edhe pse me radhë luajti 35 ndeshje për dy sezone e gjysmë për të kuqtë, duke u aktivizuar në 60 % të kohës si zëvendësues, e duke vijuar të luajë më pas, për dy faza tek Kamza e po kështu për gjysmë sezonin tek Skënderbeu e po aq tek Luftëtari, aty ku më pas bëri kalimin e madhe të karrierës, duke u zhvendosur në Superligën rumune. Kujtojmë këtu se Realdo Fili ka luajtur gjithsej 134 ndeshje në karrierën e tij 7-vjeçare si profesionist, për një total prej 8,173, nga të cilat në 88 takime ka qenë titullar, por duke u zëvendësuar 47 herë, por edhe duke hyrë në fushë edhe si zëvendësues në 46 takime të tjera.
24-vjeçari, që luan në të majtë të mesfushës, por është më i prirur drejt sulmit, ka shënuar 15 gola, ndërsa është ndëshkuar edhe 12 herë me karton të verdhë. Të martën, skuadrën e Papës dhe Filit e pret një tjetër ndeshje e vështirë, vizita që do t’i bëjë skuadrës së vendit të dytë, Universitateas së Krajovës, që po lufton për titull me CFR Klujzhin. Shpresohet që edhe në këtë takim, Fili të ketë minuta të tjera në dispozicion me skuadrën e Botoshanit.