AlbanianSport.com 10/02/2019 21:15
ASNN – Lojtari shqiptar që spikati më shumë këtë fundjavë ishte Milot Rashica. Luajti titullar për Verder Bremenin në duelin kundër Augsburgut, ndeshje e mbyllur me fitoren e skuadrës së futbollistit të Kosovës 4-0. Dhe ishte pikërisht Rashica që realizoi dy gola në këtë takim. Lojtari nga Kosova shënoi golin e parë në minutën e 5-të pasi mori një pasim ideal nga Klasen.
Më pas ishte Egesten që dyfishoi shifrat për Verderin, kurse shqiptari shënoi golin e 3-të në minutën e 28-të, duke i dhënë drejtim fitores së Verder Bremenit që në pjesën e parë. Por për futbollistin e përfaqësueses së Kosovës pati një situatë të pakëndshme, sepse, në minutën e 36-të, ai u dëmtua rëndë dhe u detyrua të largohej nga fusha e lojës.
Verder Bremeni shënoi dhe golin e katërt në pjesën e dytë, por meritat padyshim i ka Rashica me dy realizimet e tij. Me dygolëshin e sotëm shkon në 4 finalizime në këtë edicion, një ecuri e mirë për një lojtar që më shumë është mesfushor dhe që e ka sezonin e parë në Bundesligën e Gjermanisë.