AlbanianSport.com 07.01.2017 11:35
ASNN – Sikundër ndodh gjatë merkatos, qoftë të janarit, qoftë të verës, lojtarët që përfshihen brenda vorbullës së saj, lakohen në lidhje me një numër destinacionesh. Kështu po ndodh edhe me mbrojtësin e Kombëtares, Arlind Ajeti, i cili, pavarësisht dëshirës së për ta vazhduar karrierën te Torino apo lajmeve se trajneri Sinisha Mihajlloviç i pa premtuar qëndrimin dhe më tepër minutazh, mediat italiane vazhdojnë të spekulojnë në lidhje me të ardhmen e 23-vjeçarit.
Sipas faqes së specializuar italiane në Internet, “Calciomercato.com”, klubi torinez po punon intensivisht në merkato dhe një nga repartet që mbetet kantier i hapur është edhe mbrojtja. Mbrojtësi tunizian i Valencias, Abdenur, është në bisedime me presidentin Kairo, ndërsa Torino ka zyrtarizuar edhe mbrojtësin Karlao, i cili mbërrin në Itali, pas përvojës me skuadrën qipriote të APOEL-it të Nikosizë. Një tjetër lojtar në planet e Mihajlloviçit është edhe mbrojtësi i Peskarës, Fornazier.
Dhe është pikërisht Ajeti ai që mund ta zgjidhë transferimin e tij. Nga ajo që pretendojnë mediat e Apenineve, Ajeti është propozuar për një këmbim me 23-vjeçarin italian. Peskara nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën që ka për të afruar shqiptarin dhe bisedimet mund të avancojnë gjatë ditëve të ardhshme, por vendimtare do të jetë edhe dëshira e Ajetit që dëshiron të konsumojë të gjitha mundësitë te Torino për një vend titullari.
Ajeti u transferua gjatë muajve të verës te skuadra torineze me parametra zero, pas një sezoni të sukseseshëm në radhët e Frosinones.